Fuga: Protestuesit sot nuk kanë dhunuar vetëm institucionet publike, por edhe median

TIRANË, 11 Maj /ATSH/ -Dhuna në protestën e sotme të opozitës nuk ka prekur vetëm Policinë e Shtetit dhe institucionet, por edhe gazetarët dhe operatorët.

Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga është shprehur se, “protestuesit sot nuk kanë dhunuar vetëm institucionet publike, por edhe median”.

“Top-channel, Report tv dhe ABC News raportojnë se gazetarë, kameramanë dhe pajisje janë dhunuar dhe shkatërruar nga protestues të maskuar”, ka theksuar Fuga.

Pas disa minutave Fuga ka shtuar se, “shtohet edhe Vizion plus në listën e televizioneve të dhunuar nga protestues të maskuar”.

Më herët u raportua se pesë persona të maskuar kanë sulmuar operatorin e ABC News Mateo Brahja duke e goditur dhe i kanë thyer kamerën.

Gjithashtu një grup të rinjsh me maska në fytyrë, ndërsa ishin duke marshuar drejt Kryeministrisë, sulmuan mes turmës kameramanin e Top Channel, Eno Xhaja.

Protestuesit me maska të zeza dhe një prej tyre me kundragaz të vënë në fytyrë kanë vrapuar drejt kameramanit dhe e kanë goditur, ndërsa edhe mjeti i tij i punës është thyer nga protestuesit, të cilët i kërkuan atij që të mos filmonte.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.