FOTO/ Zv.ministrat e Drejtësisë takim me përfaqësues të parlamentit holandez

TIRANË, 11 maj /ATSH/ – Dy zëvendësministrat e Drejtësisë, Toni Gogu dhe Fjoralba Caka zhvilluan një takim me Hayke Veldman, deputet dhe Kryetar i Komisionit të Përhershëm për Çështjet Europiane, Anne Mulder, deputet dhe raportues në Komisionin e Përhershëm për Çështjet Europiane dhe Jeffrey van Haaster, deputet dhe anëtar në Komisionin e Përhershëm për Çështjet Europiane.

Pjesë e takimit ishte dhe ambasadorja e Mbretërisë së Holendës në Shqipëri, Guusje Korthals Altes. Në këtë takim, Gogu dhe Caka, informuan delegacionin holandez mbi arritjet e Shqipërisë në reformimin institucional dhe kushtetues brenda vetëm një viti prej vizitës së vitit të kaluar në parlamentin holandez, si dhe rezultatet konkrete të luftës antikorrupsion.

Fokusi u vendos edhe në arritjet e sfidat me situatën aktuale të ecurisë së Reformës në Drejtësi si dhe ngritjen e institucioneve të reja si SPAK.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e parlamentit holandez theksuan faktin se arsyeja e vizitës së tyre në Shqipëri lidhet posaçërisht me interesin e veçantë për të mësuar dhe prekur nga afër rezultatet e Reformës në Drejtësi, për t’u informuar me mirë ndaj luftës kundër korrupsionit si dhe për të ndjekur forcimin e shtetit të së drejtës falë reformave të ndërmarra deri më tani. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.