Ambasadori i Turqisë: Shqipëria e meriton të jetë pjesë e BE, transformime pozitive

TIRANË, 11 Maj /ATSH/ – “Shqipëria e meriton të jetë pjesë e bashkimit europian, pasi në gjithë këto vite është transformuar pozitivisht”, deklaroi sot ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Ai mori pjesë në një takim të hapur në një universitet privat, ku theksoi se, “Turqia dhe Shqipëria gjithmonë kanë pasur marrëdhënie shumë të mira dhe speciale e të dyja vendet ecin përkrah njëra-tjetrës edhe në ditët e sotme. Kjo marrëdhënie e mirë na shtyn të kemi një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes dy shteteve”.

“Shoqëria shqiptare është shumë dinamike, shumë e integruar dhe ka një vend strategjik në hartën europiane. Gjithashtu ka qenë faktor stabilizues dhe ka potencial ekonomik për tu zhvilluar shpejt”, shtoi ai .

Ambasadori u shpreh se “do të ishte kënaqësi të bashkëpunonim më shumë me universitetet shqiptare, në shkëmbimin e studentëve pedagogëve dhe kërkimin shkencor”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.