​Thaçi: Kemi mbështetjen e SHBA-ve për marrëveshjen e paqes me Serbinë

PRISHTINE, 11 /ATSH/- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në takim kongresistin amerikan Ed Case, me të cilin janë pajtuar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet qenësor për Kosovën dhe rajonin.

Thaçi shprehet se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi të përbashkët angazhimin për paqe e liri në të kaluarën, por edhe pikëpamjet dhe vizionin për të ardhmen e Kosovës, rajonit dhe botës.

“Me kongresistin Ed Case u pajtuam se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet qenësor për Kosovën dhe rajonin, si dhe i shpreha mirënjohje për punën që bëjnë ushtarët dhe të gjithë amerikanët që shërbejnë në Kosovë. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët dhe duke punuar për marrëveshje përfundimtare të paqes me Serbinë. Në këtë synim e kemi mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaron Thaçi./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.