​Ed Case: Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur i Kosovës

PRISHTINE, 11 maj/ATSH/-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kongresistin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ed Case.

Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar kongresistin Case dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga liria, pavarësia dhe tani në shtetndërtim, duke vlerësuar se përkrahja e SHBA-së për Kosovën edhe në këto momente është tejet e rëndësishme për proceset zhvillimore të vendit.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi kongresistin Case për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillim ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmbushjen e agjendës së reformave evropiane, procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri dhe përkushtimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Forcimi i mëtejmë i partneritetit strategjik me SHBA-të, si dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat e interesit të përbashkët ndërmjet dy shteteve tona është me rëndësi jetike për vendin, sepse orientimi ynë është euroatlantik dhe pro vlerave perëndimore të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Haradinaj.

Kryeministri në shenjë mirënjohje i dhuroi kongresistit Case, librin “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” i botuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtarë të Skënderbeut.

Kongresisti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ed Case, afirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur i Kosovës dhe se krenohet me shërbimet që anëtarët e Gardës Kombëtare të Hawai-t ofrojnë në Kosovë./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.