Shahini përgëzon nismën e deputetëve për ta çuar përpara reformën në Akademinë e Shkencave

TIRANË, 10 maj /ATSH/ – Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, përgëzon nismën e deputetëve për ta çuar përpara reformën në Akademinë e Shkencave.

“Ka kaluar shumë kohë qëkur ka filluar debati për reformën dhe sot duhet të shohim frytet e saj!”, thekson Shahini, teksa nënvizon faktin se MASR ka facilituar procesin e hartimit të një projektligji të ri, i cili do të mundësojë modernizimin e Akademisë duke themeluar një grup pune me anëtarë të Akademisë.

“Grupi i punës ka hartuar projektligjin reformues, të cilin duhej ta nisja për mendim në Këshill të Ministrave. Por meqë debati mbi të nuk kishte shteruar dhe kishte ende zëra për ndryshime të mëtejshme, jam e lumtur që me nismën e deputetëve ky dokument shkon direkt në parlament, aty ku përplasen idetë e ndryshme me qëllim arritjen e një teksti të vetëm ligjor ku përfshihen elementët më të mirë!”, shprehet Shahini.

Ndër të tjera, ministrja thekson se do të jetë edhe ajo pjesë e këtij debati ku do të paraqesë idenë e saj për të vendosur në ligj bazat e fillimit të një përafrimi të akademive shqiptare në rajon, me synim integrimin në një të vetme.

/a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.