Operacioni “Kamuflimi”/ Policia godet një rast kontrabande, 2 të ndaluar

TIRANË, 10 maj/ATSH/- Policia e Tiranës ka realizuar operacionin “Kamuflimi”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e kontrabandës së mallrave që paguhet akcizë. Si rezultat i operacionit në pranga ranë dy persona si dhe është shpallur në kërkim një tjetër.

Sipas njoftimit të Policisë, seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë finalizuar operacionin e koduar “Kamuflimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit: N. P., 50 vjeç, banues në Tiranë dhe P. S., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i shtetasve të sipërpërmendur, u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitetin e kundërligjshëm që bënë fjalë për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë Industriale”, “Fshehja të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Këta shtetas, pa nipt e pa u regjistruar fare në QKB, nën kamuflimin e bizneseve private si tregtarë pakice, kanë mundur të fusin një sasi të konsiderueshme mallrash të dyshuara kontrabandë.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit S.B, banues në Tiranë, ku për shkak të hetimit nuk jepen të detaje të tjera. Në cilësinë e provës materiale në funksion të këtij procedimi u sekuestrua; 1.440 (një mijë e katërqind e dyzet) pije freskuese, 12.000 pako çamçakëza, 77.000 kuti, 750 paketa, 64 pako duhan i grirë, një automjet dhe tre aparate celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, për veprime të mëtejshme. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.