Ndërtimi i rrugës Agim–Babunjë, akses më të shpejtë në tregun e Divjakës për fermerët


TIRANE, 10 maj/ATSH/- Rehabilitimi i rrugës Agim – Babunjë, 4,35 km e gjatë që lidh dy zona bujqësore të bashkive Divjakë dhe Fier, një investim i qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, po rrit aksesin e fermerëve në tregun e Divjakës.

Kryeministri Edi Rama shprehet se ndërtimin i kësaj rruge siguron akses më të shpejtë në tregun e Divjakës për banorët dhe fermerët e zonave bujqësore në Fier e Lushnje.

Aktualisht po punohet për zgjerimin e kanaleve kulluese dhe veprave të tjera të artit dhe është në proces hedhja e stabilizantit.

Deri më sot nuk ka patur ndonjë ndërhyrje të thellë në këtë segment dhe është trajtuar vetëm me çakëll.

Rruga aktuale është tepër e ngushtë dhe kalohet vetëm me mjete të vogla, shkëmbimi i të cilave është thuajse i pamundur.

Falë këtij investimi fermerët e fshatit Agim do të kenë akses të përmirësuar në tregun e Divjakës, që është edhe më i afërti për ta. /a.g

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.