Dita e Drejtësisë, Imeraj-studentëve: Detyra parësore, hetimi i të gjitha veprave penale

TIRANE, 10 maj/ATSH/ – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë u zhvillua sot aktiviteti “Open Doors” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku të ftuar ishin studentë të Juridikut.

Prokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj deklaroi gjatë këtij aktiviteti se detyra e tyre parësore mbetet hetimi i të gjitha veprave penale.

“Prokuroria e rrethit Tiranë për shkak të territorit që mbulon është në kontakt të përditshëm me shtresa të ndryshme të shoqërisë tonë. Janë mbi 70 prokurorë që mundohen, përpiqen, megjithë ngarkesën që kanë t’ju presin, mirëpresin, të kërkojnë atë që duhet dhe që të realizojnë funksionin e tyre kryesor që është hetimi i të gjitha veprave penale”, tha Imeraj.

Duke iu drejtuar studentëve, Imeraj tha se “në mënyrë që ju të jeni afër nesh si prokurorë që punojmë sot, por në mënyrë që të kuptoni më mirë sesa mirë janë ndjerë apo keq janë ndjerë afër nesh studentët e magjistraturës. Ne jemi bashkë që të themi që gjeneratë që punon sot, gjenerata që është gati për të dalë nesër dhe gjenerata që do jetë e ardhmja e sistemit të drejtësisë disa kohë më vonë janë bashkërisht për të njëjtin qëllim”.

“Unë jam e bindur që secili prej jush që i është futur rrugës së studimit të një fushe kaq të rëndësishme dhe të lezetshme sa është ajo e drejtësisë e ka patur një pikësynim. Pavarësisht nga dëshirat tuaja për të zgjedhur profesionin tuaj në të ardhmen, unë do ju ftoja që të bëheshit prokuror. Është një punë e mirë dhe fisnike, në fund të ditës ndihmon dhe jep mundësi që ne shqiptarët, fëmijët tanë ti rrisim në Shqipëri dhe të jetojnë këtu”, tha ajo./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.