​Në Pentagon zbulohet monumenti që i dedikohet ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

PRISHTINE, 10 maj/ATSH/- Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku bën të ditur se në Pentagon është zbuluar monumenti, i cili i dedikohet ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë.

“E nderuar që bashkë me komandantin e Forcave Ajrore Amerikane, Gjeneralin Goldfein, ne ambientet e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) zbuluam monumentin i cili i dedikohet ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë. Gjenerali Goldfein edhe personalisht ka qenë pjesëmarrës në fushatën ajrore kundër caqeve të regjimit të Milosevicit”, shprehet Çitaku.

“Me 2 Maj ‘99 aeroplani ushtarak me të cilin po fluturonte Gjenerali Goldfein ishte goditur nga forcat serbe. Fatmirësisht, pas një operacioni të shpëtimit, Gjenerali Goldfein ishte kthyer shëndosh e mirë në bazën ajrore të NATO në Itali”, shprehet ajo./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.