Vlorë, diskutime për projektin që do ti japë zgjidhje përmbytjeve

TIRANË, 9 maj/ATSH/- Drejtori i Ujësjellës Kanalizime, Dorian Xhelili, zhvilloi sot një takim me specialistë, për të ndarë mendime dhe opinione, për nisjen e punës për realizimin e një projekti për një investim që do ti japë zgjidhje përmbytjeve në Vlorë.

Të pranishëm në takim, përfaqësues të studios projektuese e cila ka zbatuar investime në rrjetin e kanalizimeve në qytet, si dhe specialistë të vjetër, që e njohin Vlorën, mes tyre edhe inxhinierë hidro.

Në këtë tryezë u diskutua në lidhje me përmbytjet në Vlorë, problematikat që janë hasur dhe zgjidhjet që mund të ofrohen.

Gjithashtu u diskutua dhe në lidhje me prurjet e ujërave që vijnë nga zonat kodrinore të qytetit, në të cilat janë dëmtuar prej vitesh kanalet e ujërave të larta dhe për pasojë prurjet e shumta ndikojnë në qytet.

Për këtë, duhet të bëhet një studim i mirëfilltë duke llogaritur edhe shtimin e popullsisë, ndërtimet si dhe ndryshimet klimaterike.

Studio zbatuese dhe specialistët, do të punojnë dhe do të japin një projekt ide por fillimisht duhet të njihen me kuotat për një projekt sa më të saktë.

Pas takimit në zyrë, u zbrit në terren ku u inspektua rruga që ndjek lëvizja e ujit dhe diametrat e tubacioneve të cilët çojnë ujin në Impiant. Po ashtu u kontrolluan edhe Stacionet e Pompave./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.