VIDEO/ Rritja e sigurisë ushqimore inkurajon eksportin e mishit


TIRANË, 9 maj/ATSH/ “Garantimi i standardeve për produktin që i shkon konsumatorëve, në mënyrë që ai të jetë i sigurtë, mbetet sfida jonë, dhe për këtë vjen në ndihmë paketa me ndryshimet ligjore në Kodin Penal”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama i cili së bashku me ministrin e Bujqësisë, Bledi Çuçi, ishte sot në mjediset e thertores “Shushica” në Vlorë, e cila në sajë të ndërtimit të rrugës së re, është lehtësisht e aksesueshme nga fermerët.

“I gjithë problemi ynë është që në raport me sigurinë ushqimore duhet të garantojmë që mishi të jetë i sigurtë. Ju e dini shumë mirë që para se të vihej rregulli në thertore ishte hata. Të investoje në thertore ishte të investoje në falimentim. Kundërshtojnë shpeshherë edhe ta që bëjnë sikur qajnë për popullin, që ‘pse po ju mbyllni fshatarëve rrugën e ekonomisë’, ‘pse nuk i lini të therin vetë’, që është një çmenduri”, – tha Rama.

Ndërkohë, ai shtoi se për sigurinë ushqimore kjo është A-ja e padiskutueshme, me këtë paketë të re të ndryshimeve në Kodin Penal, ne do të vendosim rregulla shumë strikte. Rama tha se “kush do i shkelë rregullat, do të përballet me ndëshkime shumë të mëdha”.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se rritja e sigurisë ushqimore, do të inkurajojë edhe eksportin, në rastin konkret të mishit, duke bërë që blegtoria të kthehet në ekonomi eksporti.

“Sa i përket eksportit në raport me BE, të gjitha vendet përpara nesh, p.sh. Bullgaria dhe Rumania që janë anëtare të BE, kanë patur një luftë të madhe dhe një situatë shumë të ngatërruar për të zgjidhur me therjet e paligjshme dhe do të kërkojë kohë. Por, ndërkohë ne po përpiqemi me këto tregjet e Lindjes së Mesme, se ata konsumojnë shumë mish qengji dhe kemi disa si të thuash negociata për disa marrëveshje, në mënyrë që blegtoria nga një përpëlitje e madhe për shkak të tregjeve të vogla për shkak të mungesës së sistemit, të kthehet në një ekonomi eksporti”, – tha Rama.

Thertore “Shushica” në Vlorë, është një pikë e mirënjohur për blegtorët e zonës, e cila mundëson një proces të garantuar dhe të sigurt të therjes së mishit. Një thertore publike, e rikthyer në funksion pas 30 viteve, falë investimit privat, sot është një pikë ku teknologjia bashkëkohore në përdorim rrit garancinë për produkte të sigurta për konsumim.

“Plani është për një agrobiznes të madh në të gjithë territorin. E rikthyem thertoren pas 30 viteve. Kjo është thertore e shtetit. Dua t’u falenderojmë edhe për rrugën, e cila është një vepër konkrete dhe gjithë Labërisë i sjell një zhvillim shumë të madh”, – shprehet sipërmarrësi.

Kontrolli i produktit dhe garancia për ruajtjen dhe tregtimin e tij mundësohen nga veterinerët e pranishëm aty, si dhe mjediset moderne frigoriferike ku theret dhe ruhet mishi për konsum.

“Në thertore është zyra e veterinerit të bashkisë dhe zyra e veterinerit tonë, të cilët të dy e kontrollojnë mishin. Më pas, procesi përfundon automatikisht me ngarkimin në kamionë. Procesi është i modernizuar dhe investim i yni”, shpjegon sipërmarrësi./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.