Veliaj: Në mandatin e dytë transformojmë transportin publik në elektrik

TIRANE, 9 maj/ATSH/- Në katër vitet e ardhshme, Tirana do të transformojë tërësisht transportin e saj publik, nga mjete që punojnë me lëndë djegëse dhe që ndotin mjedisin, në një flotë tërësisht elektrike e miqësore me natyrën.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në takimin me temë “Green Cities = Improved Lives”, pjesë e Forumit të Biznesit të BERZH-it për vitin 2019 që mbajti punimet në Sarajevë, në të cilin theksoi se Tirana gjithnjë e më shumë po i kushton rëndësi politikave mjedisore. Ai renditi disa nga nismat që kanë sjellë një përmirësim të dukshëm të cilësisë së ajrit, që nga mbjellja e pemëve, shtimi i hapësirave pedonale, këndeve çlodhëse, korsitë e biçikletave apo ditët pa makina.

Veliaj theksoi se bashkia e Tiranës do të vazhdojë bashkëpunimin me BERZH-in me një sërë projektesh të tjera që nxisin përdorimin e mjeteve ekologjike të transportit dhe një qytet të gjelbër. “Ambicia jonë është që në mandatin e dytë, pjesën më të madhe të financimeve të BERZH, t’i fokusojmë në atë që quhet “Programi i Qyteteve të gjelbra”, ku duam t’i japim fokus shumë të madh transportit elektrik. Kemi ecur shumë mirë me biçikletat, me taksitë elektrike; tani është radha e autobusëve dhe duam të financohet ky program”, tha Veliaj.

Ai veçoi gjithashtu projektin e Pyllit Orbital që do t’i japë Tiranës një pajë të gjelbër me 2 milion pemë. “Projekti tjetër që ndoshta është një ndër projektet më afër zemrës sonë, si Bashki e Tiranës, është ai i Pyllit Orbital. Pra, në dy vite kemi thyer rekordin e mbi 100 mijë pemëve, por që të kapim atë që është ambicia jonë e 2 milionë pemëve, sigurisht na duhet pak ndihmë financiare. Po përgatitemi që në mandatin e dytë, të aksesojmë financat ndërkombëtare, kryesisht për këto dy projekte, çështjet e gjelbërimit dhe të transportit elektrik dhe të transportit të pastër”, bëri të ditur Veliaj.

Ai theksoi se falë përmirësimit të performancës financiare të bashkisë së Tiranës dhe ndërmarrjes së UKT-së, Tirana është një nga qytetet e pakta që sot siguron një mbështetje financiare nga BERZH, pa pasur garancinë e qeverisjes qendrore.

Veliaj shtoi se me mbështetjen financiare të BERZH-it, Tirana ka nisur një nga investimet më të rëndësishme të dekadave të fundit, që ka të bëjë me shtrirjen e një linje të dedikuar ujësjellësi për të gjitha lagjet periferike të zonës së Unazës së Re dhe Kasharit, si dhe zgjerimin e kapacitetit filtrues të Bovillës.

“Kemi filluar me BERZH-in financimin e dy projekteve kryesore për zgjerimin e impiantit filtrues të Bovillës dhe një linjë e dedikuar nga Bovilla direkt për zonën e Astirit, Kasharit, Mëzezit, ‘Misto Mames’ dhe ‘Kombinatit’”, përfundoi Veliaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.