Themelohet çmimi për krijimtari letrare e artistike “Sulejman Krasniqi” në Rahovec

TIRANË, 9 maj/ATSH/ – Kuvendi komunal i Rahovecit ka miratuar themelimin e çmimit për krijimtari letrare e artistike “Sulejman Krasniqi”.

Gjithashtu është miratuar propozimi i kryetarit Smajl Latifi për caktimin e datës 7 dhjetor si Ditën e Bibliotekës “Sulejman Krasniqi” në Rahovec.

Me aprovimin e kësaj kërkese, çdo vit në Ditën e Bibliotekës “Sulejman Krasniqi” ndahet çmimi letrar për krijimtari artistike “Sulejman Krasniqi” me vlerë prej 500 euro.

I cilësuar edhe si Balzaku i letrave shqipe, Sulejman Krasniqi konsiderohet si përfaqësues dhe mbrojtës i vlerave historike shqiptare, por edhe një nga kultivuesit më të zellshëm të tyre.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Sulejman Krasniqi, lindi më 7 dhjetor 1937, në fshatin e lashtë të Kosovës, në Hoçë të Vogël.

Ai radhitet ndër figurat më të shquara të letërsisë shqiptare.

Kritikë letrarë e kanë vlerësuar Krasniqin si “shkrimtar i të vërtetës historike”, ndërsa një kategori tjetër e kritikëve thonë se ka qenë “shkrimtar i rezistencës dhe i frymëzimit të brezave”.

Shkrimtari Krasniqi konsiderohet si njeriut që ngriti në art figurat historike të kombit duke i kthyer në mite të pavdekshëm dhe që i bëri ballë presioneve e internimeve në Shqipëri vetëm për hir të kombit.

Në shtypin periodik dhe ditor, Sulejman Krasniqi ka shkruar mijëra faqe si skica, tregime, artikuj, reportazhe, pamflete e të tjera dhe ka ka botuar më se 21 vepra të veçanta, përfshirë këtu edhe romanin e fundit autobiografik, i cili u botua pak kohë para se të ndërronte jetë shkrimtari.

Gjatë leximit të vëmendshëm të romaneve historike të Sulejman Krasniqit, të lënë përshtypje përveç ngjarjeve historike, edhe saktësia e shkrimit të vendeve ku autori e ndërton rrëfimin artistik.

Në këtë mënyrë, Sulejman Krasniqi ngjarjet që i rrëfen i përshkruan me një saktësi topografike, të lë përshtypjen se vetë autori ka qenë i pranishëm siç janë veprat si “Tri motra, tri histori”, “Në shpellën e banditëve”, “Beteja të nëndheshme”, “Besëlidhja Shqiptare”, “Belbacakja”, “Rrëfimet e majorit”, “Makthi i hijeve”, “Kreshnikët”, “Evropë”, “Rapsodi e Kosovares”, “Rebeli i bajraqeve”, “Jetëshkrim” etj.

Ai ka shkruar edhe novela, ese, drama e melodrama, siç janë: “Rrustë Kabashi”, “Heronjtë e borës”, “Kreshnikët”, “Evropë deri ku do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare”, etj. Këto vepra autori i ka shkruar duke u bazuar në të dhëna historike, ato të dhëna që autori i letrarizon.

Ndër veprat më të njohura janë: “Tri motra, tri histori”, novelë, 1972, “Në shpellën e banditëve”, roman, 1973, “Qielli i përflakur”, roman 1974, “Prijësja e komitëve“, 1975, “Beteja e nëndheshme“, 1976, “Lindita”, 1977, “Rrustë Kabashi”, 1978, “Mic Sokoli”, 1979, “Besëlidhja shqiptare”, 1980, “Pushka top, Bajram Curri”, 1982, “Dardanët”, 1985, “Heronjtë e bores”, 1985, “Oso Kuka”, 1986, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, “Njeriu dy herë i pushkatuar”, 1991, “Belbacakja“ 1982, “Rrëfimet e majorit”, 1993, “Evropë, deri kur do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare”, 1996, “Rapsodia e kosovares”, 1999, “Rebeli i bajraqeve”, 2010 dhe libri i fundit autobiografik, “Jetëshkrim”, 2011.

Shkrimtari i mirënjohur, Sulejman Krasniqi, lëvroi me pasion historinë duke sjellë që nga viti 1958 në Shqipëri, botën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Një prej botimeve të tij, libri me titull “Mic Sokoli, i botuar me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, do të sillej fshehtas nga Shqipëria drejt Kosovës për t’u lexuar po në fshehtësi brez pas brezi.

Sulejman Krasniqi është ndarë nga jeta më 16 korrik 2011. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.