Mbështetje institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë

TIRANË, 9 maj /ATSH/ “Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian”. Presidenti Ilir Meta tha sot se një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit.

Deklaratat e Metës vijnë pas samitit të Brdo-Brijunit, me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor, mbajtur sot në Tiranë, ku ata theksuan nevojën për nxitjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal duke u fokusuar në domosdoshmërinë e zgjidhjeve të mbetura pezull mes vendeve të rajonit.

Pas këtij samiti, Presidenti sjell në vëmendje se ngjashëm me shembullin e Marrëveshjes së Prespës, mbeten jetike dhe të domosdoshme si bashkëpunimi i përgjegjshëm dhe serioz ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe një koordinim më i mirë ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi perspektivën e dialogut dhe të rajonit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.