MALI I ZI – Dënime për grushtin e shtetit, përfshirë dy nacionalistë rusë

PODGORICË, 9 maj /ATSH-ANSA/ – Një gjykatë në Podgoricë dënoi sot 14 persona nga një vit e gjysmë deri në 15 vjet burg, përfshirë dy nacionalistë rusë, të njohur si përgjegjës për terrorizëm dhe përpjekjen për grushtin e shtetit, të zbatuar më 16 tetor 2016, në ditën e zgjedhjeve politike në Malin e Zi.

Qëllimi përfundimtar, sipas prokurorisë, ishte parandalimi i anëtarësimit në NATO të Malit të Zi, që ndodhi një vit më pas, pavarësisht kundërshtimit të fortë të Rusisë.

Suzana Mugosha, kryetarja e  gjykatës, tha se të pandehurit kishin krijuar një organizatë kriminale për marrjen e pushtetit nëpërmjet akteve terroriste dhe veprimeve të dhunshme, përfshirë pushtimin e parlamentit dhe vrasjen e kryeministrit të kohës, Milo Gjukanoviç, presidenti aktual i Malit të Zi.

Për Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, dy rusët të konsideruar si të dërguar të shërbimeve të sigurisë nga ana e Moskës dhe të cilët u gjykuan në mungesë, u vendosën dënime më të rënda, respektivisht 15 dhe 12 vjet burg.

Të pandehurit e tjerë ishin nëntë shtetas serbë dhe tre shtetas malazezë, eksponentë kryesorë të Frontit Demokratik (DF), forca më e madhe opozitare pro serbe dhe pro ruse kundër integrimit të Malit të Zi në NATO.

Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç, udhëheqësi i DF,u dënuan me pesë vjet.

Të pandehurit së bashku me avokatët mbrojtës kanë folur gjithmonë për një proces politik kundër tyre dhe kanë kërkuar lirimin e të gjithë të dënuarve, të cilët kanë të drejtën e apelimit./ /ash/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.