Hysi: Komisioni i Reformës Zgjedhore do të zbatojë një për një rekomandimet e OSBE-ODIHR

TIRANË, 9 maj /ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi deklaroi se Komisioni i Reformës Zgjedhore do të zbatojë një për një rekomandimet e OSBE-ODIHR, të GRECO-s, MONEYVAL, qoftë për Kodin Zgjedhor, qoftë për ligjin për financimin e partive politike.

Në një intervistë televizive Hysi foli gjithashtu se nuk ka një rekomandim nga OSBE-ODIHR për të ndryshuar sistemin zgjedhor.

“Ne sistemin zgjedhor e kemi ndryshuar në 2008. Nuk ka një rekomandim nga OSBE-ODIHR për të ndryshuar sistemin. Në këtë mbledhje të parë ky diskutimi u fokusua tek sistemi, u dakordësua të ketë ekspertizë edhe nga OSBE-ODIHR”.

“Jam zgjedhur deputete me sistemin që është në fuqi, që ka listat e mbyllura. Mendoj se çdo sistem ka përparësitë dhe të metat e veta. Ndaj mendimin se nuk janë sistemet shkaktaret e problematikave që mund të kenë zgjedhjet në Shqipëri. Jemi ne njerëzit”.

Ajo solli edhe shembullin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ku rezultati doli shumë shpejt apo rastin e Greqisë ku palët asnjëherë nuk kanë akuzuar sistemin.

“Doja të sillja në vëmendje zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, shumë shpejt u dha dhe rezultati, marrim Greqinë apo vende të tjera, ku palët asnjëherë nuk kanë akuzuar sistemin”, – u shpreh Hysi.

“Një pikë e diskutimit në këtë mbledhje ishin dhe modalitetet si do të punohet për të shkuar në një propozim për ndryshimin e kodit zgjedhor. Ne si forcë politike kemi kërkuar votën e emigrantëve shqiptarë dhe kjo ishte një çëshje tjetër e kalendarit. Opozita ka kërkuar votimin elektronik dhe të gjitha këto çështje ishin në rendin e punës së këtij komisioni”, – tha Hysi.

Sipas saj, “ky komision nuk mund të punojë i vetëm. Edhe komisioni i mëparshëm ka ndjekur një procedurë të konsultimit. U miratua dhe grupi i ekspertëve që do të asistojë komisionin e reformës zgjedhore. Dy bashkëkryetarët propozuan emrat, ne i miratuam”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.