Dialogu me Serbinë, Thaçi: Pa rolin udhëheqës të SHBA nuk mund të ketë marrëveshje

TIRANË, 9 maj /ATSH-Gjergji Mima/ – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar sot në një prononcim për mediet gjatë Samitit të “Brdo Brijunit” në Tiranë se, çdo vendim kundër liberalizimit të vizave me Kosovën është një vendim diskriminues.

“Samiti është një mundësi e mirë që diskutojmë për zhvillimet në rajon. Është një Samit që gjithmonë i ka dhënë mundësi iniciativave dhe ideve të reja për të ardhmen europiane. Theksova edhe një herë domosdoshmërinë që të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën sepse i kemi implementuar të gjitha kriteret  dhe nëse vazhdon të  mos merret ky vendim në mënyrë unike nga vendet e BE, me të vërtetë ky është diskriminim, është dhe ndëshkim, padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Është fat që në Kosovë kemi një opinion mbi 90% pro NATO dhe BE. Jemi europianë dhe mund ti japim vlera BE”, – tha Thaçi.

Ndërsa sa i përket dialogut Kosovë-Serbi Thaçi theksoi se, “tarifa ka qenë një vendim i drejtë dhe legjitim dhe i tillë do të mbetet në fuqi. Duhet të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar me mundësi për arritje të një marrëveshje për një normalizim të plotë, ligjërisht obliguese. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse që nuk krijon vija etnike të kufijve. Që vendet tona mbesin multi-etnike dhe që përfshijnë Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në territorin e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim dua të besoj që vendet e BE tani e tutje do të jenë më unite, jo siç ka ndodhur në Berlin. Shpresoj që Samit i Parisit do të jetë më mirë i organizuar dhe do të prodhojë substancë dhe gjithashtu shpresoj sepse kam qenë vetë personalisht  i tmerruar kur kam qenë i informuar se në Berlin nuk kanë qenë të informuar dhe të koordinuar organizatorët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj e ritheksoj sot edhe një herë se, pa rolin udhëheqës të SHBA nuk mund  të ketë Samit të suksesshëm dhe lërë më ndonjë marrëveshje apo implementim”.

Thaçi shtoi se mundësitë për marrëveshje janë. “Unë shpresoj ende se mund të arrihet gjatë këtij viti një marrëveshje mes vendeve të pavaruara dhe sovrane. Gjithashtu e theksoj edhe njëherë me përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me territorin aktual duke mos cenuar asnjë centimetër të Republikës së Kosovës”.

Thaçi theksoi se nuk do të lejohet ndarja e Kosovës. “Unë kam theksuar se pavarësisht se dëgjohen ide të ndryshme, nuk do të lejojmë që në Kosovë në asnjë rrethanë të krijohet asnjë asosacion, as me mandate ekzekutiv apo tjetër, sepse ngjan me një model të Republikës Srbskae dhe krijimi i një modeli të tillë do të ndikonte në ndarjen e Kosovës. Gjë që ne në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë nga askush të vihet në tavolinë. Kam kërkuar nga autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës që kanë qenë të përfaqësuar në këtë Samit nga dy përfaqësues, edhe ai serb, edhe boshnjak, që ta njohin Republikën e Kosovës sepse është një vendim europian dhe do të ndihmonte stabilietetin në rajon”.

Gjithashtu, shtoi Thaçi, “kemi pasur ballafaqim edhe me Presidentin e Serbisë Vuçiç për zhvillimet që kemi në rajonin tonë dhe raportet tona të ndërsjella. Sepse theksoj, pretendimi për të mohuar spastrimin etnik dhe gjenocidin e Serbisë, të kryer në Kosovë, është përsëritje e krimit apo diçka shumë e keqe që nuk ndihmon as normalizimin dhe as pajtimin. Shpresoj që parlamenti i Kosovës në të ardhmen shumë të afërt do të nxjerrë Rezolutën që dënon gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë”.

Ndërsa në lidhje me Takimin me Ramën, Thaçi u shpreh se ka biseduar për heqjen e kufirit mes dy shteteve nën modelin e Bashkimit Evropian.

“Askush nuk duhet t’i frikësohet komunikimit dhe integrimit kombëtar  dhe një lëvizje të një hapësire kudo që jetojnë shqiptarët pra për në një lëvizje të lirë. Gjithmonë duke përfshirë Preshevën me Bujanovcin me territorin e Republikës së Kosovës. Ndërsa diçka të tillë unë e shpreh në çdo takim që kemi dhe askush nuk duhet t’i frikësohet këtij pozicioni që prezantojmë as reagimi i Presidentit të Serbisë, apo i Republika Srbska, apo i ndonjë injoranti”, – tha Thaçi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.