Basha në Gjirokastër: 30 vite më pas, kauza “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” aktuale

TIRANË, 9 maj/ATSH/ – Kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin e zhvilluar në Gjirokastër pasditen e të enjtes, ka theksuar se vendi, 30 vite pas lëvizjes studentore, ka sërish kauzën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

“Sot është 9 maj, dita e Europës dhe sot nga Gjirokastra kjo energji e jashtëzakonshme, ngjitëse, frymëzuese për kauzën tonë të madhe i thotë çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike, moshës, krahinës, fesë, se ky komb është i bashkuar dhe i vendosur për Shqipërinë si e gjithë Europa”, – tha Basha.

“Me këtë ëndërr nisi kryengritja studentore 30 vite më parë, me këtë amanet u themelua PD. 30 vite tranzicion kanë qenë një udhëtim plot sakrifica drejt Europës. Edhe ju gjirokastritët keni qenë dëshmitarë të emigracionit drejt Greqisë”, – vijoi kreu i PD.

“Kush s’e di se emigracionin dhjetëra të rinj e paguan edhe me jetë. Kush nuk e di rrugëtimin tonë plot sakrifica që është shkruar në memorien e nënave dhe baballarëve të Shqipërisë, e në veçanti të Gjirokastrës. 30 vite për të shkuar në Europë, por edhe hapa për ta sjellë Europën këtu”, – tha Basha.

“Nuk është rastësi që këto hapa janë marrë nga demokratët shqiptarë, nga PD, që nga anëtarësimi në KE, nënshkrimi i MSA, marrja e ftesës për në NATO, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave dhe marrja e statusit për vendin kandidat. Sot edhe një herë po na thërret në skenë, në skenën e vendimit të madh politik, po na thërret vokacioni perëndimor, ndaj thirrja ime e parë ndaj aktivistëve tanë dhe ndaj qytetarëve tanë, shqiptarë e minoritarë: bashkohuni më 11 maj për Shqipërinë si e gjithë Europa”, – nënvizoi Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.