Teknologjitë e reja, rritje e potencialit zhvillimor në bujqësi

TIRANË, 8 maj /ATSH/- Teknologjia në bujqësi, në përputhje me politikat e zhvillimit  përbëjnë potencialin për të ardhmen e këtij sektori dhe të komunitetit rural në vendin tonë.

Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) Frida Krifca, e pranishme në konferencën ndërkombëtare për mekanikën bujqësore, që u zhvillua sot në Tiranë, tha se implementimi i teknologjive të reja në sektorin rural sjell cilësi të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, shtim prodhimi, një zinxhir furnizimi më të sigurt ushqimor dhe rrit besimin për këtë sektor.

Në këtë kontekst, AZHBR po zbaton politikat e qeverisë shqiptare për rritje të sektorit, rritje të konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore dhe produktivitetit të tyre, shtim të nivelit të eksporteve dhe zhvillim të zonave rurale.

“Në këtë kuadër mbështetja e qeverisë dhe e Bashkimit Evropian, përmes fondeve IPARD, bashkëpunimet midis vendeve fqinje, konkretisht Italisë si një nga mbështetësit kryesorë për integrimin e Shqipërisë në Evropë, vë në funksion mundësitë ekonomike për të pasur një bujqësi moderne, në një nivel krejtësisht të ri”, – tha Krifca.

Bujqësia dhe zhvillimi rural në Shqipëri, është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Veçanërisht sektorët si bujqësia, siguria ushqimore dhe qëndrueshmëria e sektorit janë vendimtare për vetë zhvillimin ekonomik dhe rural të Shqipërisë.

Në këtë perspektivë, bujqësia ka një rol të rëndësishëm për ekonominë tonë. Statistikisht është sektori i dytë më i rëndësishëm, duke kontribuar rreth 22,9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe punëson rreth 42% të fuqisë punëtore.

Aktualisht, Agjencia IPARD e Shqipërisë po zbaton procesin administrativ të Thirrjes së Parë, në kuadër të Programit IPARD II nga Instrumenti i Ndihmës së Paraanëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural (IPARD). Programi mbështet bujqësinë dhe zhvillimin rural në tri masa: Masa 1: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore” në sektorët: Qumësht, mish, fruta-perime, vreshta Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore” në sektorët: Qumështi dhe përpunimi i qumështit, Përpunimi i mishit, Përpunimi i frutave dhe perimeve dhe sektori i verës. Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit” në sektorët: Prodhimi i bimëve mjekësore dhe aromatike, kërpudhave, mjaltit, bimëve zbukuruese dhe kërmijve, Përpunimi në fermë dhe tregtimi i drejtpërdrejtë i produkteve bujqësore, akuakultura, natyra dhe turizmi rural, shërbimet për bizneset rurale dhe popullsinë, zejtaria dhe industria prodhuese.

Buxheti i përgjithshëm i disponueshëm ështe 50.33 milionë euro, nga të cilat 37.74 milionë euro, janë kontribut i BE, dhe 12.58 milionë euro, kontribut kombëtar që përfaqëson 25% të kontributit të përgjithshëm publik.

Drejtoresha e AZHBR-së Krifca, vlerësoi konferencën për mekanizimin bujqësor, që siç u shpreh ajo, “ka rëndësi të veçantë për sektorin. Përpos evidentimit dhe theksimit të nevojave immediate që ka sektori, kërkesat marrin zgjidhje duke u ofruar alternativa të reja për përmirësim dhe modernizim të teknologjisë bujqësore”.

/e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.