Agjencia Telegrafike Shqiptare

Shkodër/ Premtonte për marrjen e provimit të licencës në mësuesi, arrestohet

TIRANË, 8 maj /ATSH/ – I premtonte për marrjen e provimit të licencës në mësuesi si dhe për të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin, duke e mashtruar për përfitim të vlerave monetare, por arrestohet nga Policia.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit B.A, 49 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ”Mashtrimi”, i dënuar dhe më parë për të njëjtat vepra penale.

Ky shtetas, në muajin janar 2018, dyshohet se i ka marrë nëpërmjet mashtrimit shtetases B.P., shumën prej 6000 euro për të marrë provimin e licencës së mësuesisë, si dhe shumën 4000 euro për të marrë një të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin e saj. Si edhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek shtetasi E.S., punonjës në fushën e arsimit.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit, B.P. për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe E.S. për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme. /gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version