Ringritja e lidhjeve historike/ Bashkia e Korçës, marrëveshje bashkëpunimi me atë të Bukureshtit

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Nënshkruhet marrëveshja e binjakëzimit mes Bashkisë së Korçës dhe Bashkisë së Bukureshtit me fokus bashkëpunime të qëndrueshme në fusha të ndryshme, për të përforcuar edhe më tepër lidhjen e hershme mes dy vendeve.

Kryebashkiakët Daniel Tudorache dhe Sotiraq Filo, kanë finalizuar këtë binjakëzim me nënshkrimin e dokumentit të mërkurën në mjediset e bashkisë Korçë. Sotiraq Filo si mikpritës në këtë takim, vuri në dukje marrëdhëniet e hershme të miqësisë midis dy qyteteve. “Lidhjet me Rumaninë zënë fill që nga periudha e Rilindjes sonë kombëtare dhe krijimin e kolonisë shqiptare në Bukuresht që i parapriu shpalljes së Pavarësisë”,  tha kryebashkiaku Filo. Ai përmendi më tej në marrëdhëniet e miqësisë jo vetëm këtë urë bashkëpunimi por edhe komunitetin arumun në Korçë dhe studentët e qytetit të arsimuar në Rumani.

Marrëveshja e binjakëzimit mes dy qyteteve dhe bashkive përfshin fusha të ndryshme të kulturës, arsimit, edukimit, por edhe ekonomike. Nga ana e tij, kryetari i sektorit 1 të bashkisë së Bukureshtit ku hyn qendra e qytetit, tha se të dy vendet janë marrë për shumë vite me radhë me çështjet e demokracisë, por tani ka ardhur koha e forcimit të miqësisë mes tyre dhe qyteteve me lidhje historike. Bashkia kryesore e Bukureshtit me 250 mijë banorë dhe buxhet vjetor 250 milion euro, pritet të krijojë një bashkëpunim të frytshëm me bashkinë e Korçës. Të dy kryetarët e bashkive theksuan se kjo marrëveshje binjakëzimi është nxitur nga artistja me origjinë korçare dhe aktivitet në Rumani Arlinda Morava. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.