“Qyteza e Armenit”, monument kulture me pasuri të rralla arkeologjike

TIRANË, 8 maj /ATSH/ – Kodra e quajtur “Qyteza e Armenit” gjendet në veri të fshatit me të njëjtin emër dhe në perëndim të qendrës së banuar të Selenicës, në nyjen e bashkimit të lumit Shushicë me Vjosën.

Nga pikëpamja topografike ajo dominon mbi minierat e bitumit të Selenicës, si dhe fushat e kodrat e ulëta përreth.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë bën të ditur se “i pari që jep disa të dhëna për “Qytezën e Armenit” ishte Llambi Durholli, ish-drejtori i Muzeut Historik të Vlorës dhe një ndër pionierët e arkeologjisë së këtij qyteti. Në një artikull të shkurtër në Buletinin për Shkencat Shoqërore të viteve 1958, ai bën një përshkrim të kodrës dhe të gjetjeve arkeologjike në të”.

Sipas tij, fortifikimi që rrethonte kodrën nuk ruhej më, pasi materiali i marrë nga muri rrethues ishte përdorur për ndërtimin e banesave të fshatit Armen.

Krahas qeramikës së gjetur në terren dhe varrezës antike në pjesën lindore të kodrës, ai përmend një cisternë antike me tulla harkore të lidhura me llaç. Diametri i saj ishte 1,62 m, ndërsa thellësia arrinte deri në 3,5 m. Një informacion të ngjashëm e gjejmë edhe në artikullin e Tanush Frashërit të botuar tek revista “Monumentet” në vitin 1971.

Ndër të tjera me interes është gjetja e 8 monedhave Apoloniane dhe identifikimi i një pjese të nekropolit në anën jugore dhe jugperëndimore të kodrës.

“Të vetmet gërmime arkeologjike janë kryer në nekropolin e qytezës, në vendin e quajtur Shpëndra nga arkeologu Vasil Bereti. Ai gërmoi dy varre të shek IV-III para Krishtit, me inventar mjaft të pasur. Informacione të tjera me interes rreth gjetjeve arkeologjike vijnë nga vëzhgimet sipërfaqësore në kuadër të një ekspedite të udhëhequr nga arkeologu Skënder Muçaj”, shprehet DRKK, Vlorë.

Gjetjet më të hershme që vijnë nga kjo kodër janë fragmente qeramike të shek. IV-III p.Kr., si dhe qeramikë e mëvonshme e periudhës romake dhe antikitetit të vonë. Ende nuk është e qartë se me cilin vendbanim antik mund të identifikohet kjo kodër.

DRKK thekson se “për identifikimin e Nymfeut antik prej vitit 2017, kanë nisur kërkimet arkeologjike të përqendruara në kodrën e “Qytezës së Armenit” dhe territorin përreth nga një projekt i përbashkët shqiptaro-francez, që drejtohet nga arkeologët Saimir Shpuza dhe François Quantin”.

“Qyteza e Armenit” është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 1973. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.