Ndryshimet në pr/ligjin për kujdesin shëndetësor, Manastirliu: Rrisim cilësinë e shërbimit dhe ulim shpenzimet për pacientët

TIRANË, 8 maj/ATSH/- Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi sot se “projektligji për disa ndryshime dhe shtesa ‘Për kujdesin shëndetësor’ vjen si domosdoshmëri që nxit kujdesin dhe përmirëson shërbimin shëndetësor”.

Në fjalën e saj në Kuvend, duke prezantuar ndryshimet në këtë projektligj, Manastirliu tha se “ndryshimet që propozohen në ligjin për kujdesin shëndetësor vijnë si një domosdoshmëri në lidhje me përmirësimin e ofrimit të kujdesit shëndetësore me standardet më të lartë të cilësisë nëpërmjet forcimit të profesionistëve të shëndetit, instrumenteve që garantojnë cilësinë dhe që bazohen në praktikat më të mira duke garantuar standardet e akreditimit të institucioneve bazuar në të gjitha reformat e ndërmarra në shëndetësi gjithë këto vite”.

“Reforma të cilat janë shumë të rëndësishme dhe janë dizenjuar për të përmbushur katër qëllime kryesore; të sigurojmë që sa më shumë shqiptarë të kenë akses në shërbimet e kujdesit shëndetësor, të përmirësojnë cilësinë e kujdesit shëndetësor, të reduktojnë pagesat nga xhepi, të krijojnë praktika dhe standarde si dhe sisteme të informacionit shëndetësor për të përmirësuar efektivitetin e shërbimeve shëndetësore dhe për të zvogëluar shpenzimet për pacientët duke rritur financimin publik”-, nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj, ky projektligj është pjesë e vizionit tonë qeverisës drejt mbulimit shëndetësor universal cilësor dhe të përballueshëm nga të gjithë.

“Ndaj objektivat shëndetësore tashmë janë të orientuara jo vetëm drejt mbulimit me shërbime, por edhe drejt përmirësimit të cilësisë me të cilat ofrohen këto shërbime. Ky pr/ligj vjen si një domosdoshmëri për të vënë theksin në krijimin e instrumenteve dhe procedurave që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor, në zhvillimin e instrumenteve të llogaridhënies dhe transparencës, vendimmarrjes mbi baza gjithëpërfshirëse për të siguruar standardet e nevojshme”-, theksoi Manastirliu.

Ministrja bëri të ditur se “projektligji ka impakt direkt tek qytetaret. Ne kemi investuar në shumë sektorë, por kjo nuk mjafton sepse duhet zhvilluar shërbimi dhe veprimtaria e tyre. Nuk është e nevojshme që të bëhet me mjekë specialistë. Duhet të përfshihet tek auditimi klinik. Ne sjellim disa risi për të ridimensionar, janë dy organe Këshilli Kombëtar i Shëndetësisë dhe Këshilli Kombëtar i Pacientëve”.

“Këshilli Kombëtar i Shëndetësisë do të shërbejë për të hartuar programet e shëndetësisë dhe do të shërbejë për të mbikqyrur veprimtarinë. Ndërkohë organi tjetër do të vendos në qendër pacientët. Do bëhet i mundur një shërbim cilësor”, – tha ministrja.

Një element tjetër, vijoi ministrja, është punësimi i profesionistëve të shëndetësisë në parimet e transparencës.

“Janë 13 mijë infermierë. Portali ‘Inferimierë për Shqipërinë’ do ta vendosim në transparencë dhe do të përfshihen ata që kanë dijet e mjaftueshme dhe të gjithë ata që janë të kualifikuar në sistem”,- nënvizoi Manastirliu.

Sipas saj, ky sistem ka sjellë shumë përmirësim.

“Një tjetër element është procesi i akreditimit për çdo institucion. Ndryshimi tjetër është auditi klinik. Auditim i praktikës mjekësore. Auditimi në kujdesin shëndetësore është procedura që do të përdoren për diagnostikimin e pacientit. Ka një përvojë nga vendet e Europës, ku do të ketë efikasitet, që do të dalë në pah në vitin 2020”-, shtoi ajo.

Një nga investimet më të rëndësishme sipas Manastirliut, është edhe platforma elektronike e dokumenteve shëndetësore.

“Kjo i mundëson profesionistëve lehtësimin e punës, uljen e shpenzimeve dhe kujdesin shëndetësor. Element i rëndësishëm është dhe pjesa e profesionistëve të shëndetit. Duhet të kenë edukim të nevojshëm për certifikim dhe ricertifikim të nevojshëm”-, tha Manastirliu.

Ministrja u shpreh se “duke qenë se është një projektligj që ka një impakt te shëndeti i qytetarëve, ju ftojmë ta votoni”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.