MJEDIS – Në Islandë, CO2 shndërrohet në shkëmb për pastrimin e atmosferës

REJKJAVIK, 8 maj /ATSH-AFP/ – Në zemër të vullkaneve në Islandë, alkimistët e shekullit të XXI po transformojnë dioksidin e karbonit në shkëmb, përgjegjësi kryesor i ngrohjes klimatike, duke pastruar ajrin nga emetimet e dëmshme që shkaktojnë ngrohjen globale.

Kjo teknikë riprodhon, në një format të përshpejtuar, një proces natyror që mund të kërkojë mijëra vite, përmes injektimit të dioksidit të karbonit në shkëmbinj poroz ku ai mineralizohet duke u ngurtësuar përgjithmonë.

Dioksidi i karbonit është një gaz që shkakton efektin serë, i cili çlirohet në sasi të mëdha nga sektori i transportit në Islandë, industritë dhe vullkanet.

“Në sajë të kësaj metodë ne kemi ndryshuar në mënyrë rrënjësore ritmet e kohës”, sqaron gjeologia Sandra Osk Snaebjornsdottir.

Së bashku me disa kërkues dhe inxhinierë të kompanisë elektrike ‘’Reykjavik Energy’’, të Qendrës kombëtare të kërkimit shkencor (CNRS), të Universitetit të Islandës dhe të ‘’Columbia University’’ ajo po punon për projektin CarbFix.

Në Islandë, vendin e gejzerave, akullnajave dhe vullkaneve, të paktën gjysma e energjisë prodhohet nga burime gjeotermale.

Në një peizazh hënor në rrëzë të majave ende të mbuluara nga dëbora në masivin vullkanit  të Hellisheidit kërkuesit e kanë shndërruar impiantin gjeotermal në laboratorin e tyre.

Brenda këtyre kupolave dioksidi i karbonit pasi është kapur dhe transportuar nëpërmjet tubacioneve nga qendra gjeotermale Hellisheidi, është tretur në ujë dhe pastaj është injektuar në presion të lartë në shkëmbin e bazaltit, në 1000 metra thellësi.

Ai mbush boshllëqet në shkëmbinj dhe nis procesin e solidifikimit, një reaksion kimik që ndodh kur gazi hyn në kontakt me kalciumin, magnezin dhe hekurin në shkëmbinjtë vullkanikë./ /v.b/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.