Java Europiane në Pukë, ambasadorët bashkëbisedim me gjimnazistët

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Në kuadër të Javës Europiane, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë vizituan Pukën për një bashkëbisedim me gjimnazistë të këtij qyteti. Përfaqësues të delegacionit të BE dhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të BE-s, të kryesuar nga ambasadori çek në Shqipëri, zhvilluan një dialog me nxënësit e shkollës se mesme “Sabah Sinani” në qytetin e Pukës rreth integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ambasadori çek në Shqipëri, Jaroslav Ludva në fjalën e tij e vlerësoi Shqipërinë duke u shprehur i bindur në anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian.

Takimi u përshëndet dhe nga kreu i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj i cili e vuri theksin tek punësimi i të rinjve si një mekanizëm që frenon emigracionin. Masa e punësimit të të rinjve nga bashkia e Pukës, sipas Gjonajt, ka qenë 80%.

Më tej takimi ka vijuar në formën e bashkëbisedimit në mesin e të rinjve të gjimnazit “Sabah Sinani” dhe përfaqësuesve të ambasadave. Nxënësit e Pukës gjatë gjithë kohës komunikuan në anglisht me përfaqësuesit e trupit diplomatik. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.