Europa, burim energjie për Shqipërinë

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Në ditën e dytë të vizitës në Paris, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj zhvilloi një takim në Senatin francez me kryetarin e Grupit të Miqësisë Francë – Shqipëri, Rachel Mazuir dhe tre anëtarë të Senatit. Në takim theksi u vu në rëndësinë e Reformës në Drejtësi, rezultatet konkrete të procesit të Vetingut, ngritjen e institucioneve të reja KLP dhe KLGj, si dhe rezultatet e luftës kundër korrupsionit në administratën publike.

Mazuir vlerësoi rolin e ministres Gjonaj si shumë të rëndësishëm në kuadër të procesit të Reformës në Drejtësi dhe shprehu konsideratën e tij të lartë për vullnetin, angazhimin dhe përgjegjësinë e madhe që mbart me vete, për të sjellë ndryshimin e kërkuar dhe për të luftuar korrupsionin në vend.

Më tej, Masuir nënvizoi se Europa përbën burim energjie për Shqipërinë, duke cituar kështu fjalët e kryeministri Rama në takimin që kishte në Tiranë. “Europa përbën çelësin e integrimit të mëtejshëm të vendit për ngritjen e një shteti të së drejtës”, – tha ai.

Diskutimi u fokusua edhe tek angazhimi dhe roli i shoqërisë civile në Shqipëri dhe në veçanti ai i grave në role drejtuese në organizata, të cilat ndikojnë në vendimmarrje. Mbi këtë tematikë, ministrja Gjonaj informoi anëtarët e Senatit se qeveria e ka shoqërinë civile aleatin kryesor të saj në këto reforma.

“Nga njëra anë, qytetarët na ndihmojnë me anë të denoncimeve të rasteve të korrupsionit, ndërsa shoqëria civile me ndihmën e saj në rritjen e transparencës dhe llogaridhënien e institucioneve. Aktualisht po punohet me shoqërinë civile dhe ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë me anë të projekteve të ndryshme, për të adresuar më mirë masat e marra në luftën ndaj korrupsionit”, – u shpreh Gjonaj.

Në këtë takim u diskutua edhe mbi ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi, lidhur me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, ngritja e institucioneve SPAK, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe rezultatet e fundit të procesit të Vetingut.​ /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.