Cenojnë sekretin hetimor, Prokuroria ndalon publikimin e materialeve për grupin kriminal të arrestuar në Sarandë

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka dalë sot me një urdhër për ndalimin e publikimit të akteve lidhur me procedimin penal pas operacionit të madh policor, ku u arrestuan 26 persona në vendin tonë dhe 61 në total, të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Shkelja e këtij urdhri, sipas Prokurorisë, për personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale.

Prokurori Anton Martin me anë të një deklarate tha se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është njohur me publikime të pjesshme në disa medie elektronike të përmbajtjes së vendimit penal i cili mban Nr. 81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë regjistroi procedimin penal në fjalë, lidhur me veprat penale të “Trafikim i narkotikeve” kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në bazë të materialeve të referuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Pas një hetimi proaktiv disamujor, më 2 maj 2019, prokuroria iu drejtua me kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, për caktimin e masave të sigurimit personal për 26 shtetas.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë miratoi kërkesën, duke caktuar kështu, masat e sigurimit personal për shtetasit e dyshuar. Policia e Shtetit e ngarkuar me ekzekutimin e këtij vendimi, po më datë 06.05.2019, bëri të mundur ekzekutimin e 20 prej masave të sigurimit personal, ndërsa për 6 persona nuk u bë e mundur, pasi nuk u gjetën në vendin ku jetonin dhe punonin dhe për ta vijojnë kërkimet.

Më datë 7 maj, në një konferencë për shtyp Prokuroria për Krimet e Rënda me Policinë e Shtetit, kanë informuar opinionin publik mbi rezultatet e hetimit në respekt të detyrimit për informim dhe transparencës së punës që zhvillojnë këto dy institucione.

Sot më datë 8 maj, tha prokuroria, në disa media elektronike, citohen pjesë nga bisedat telefonike të përgjuara, ku shtetasit nën hetim kanë zhvilluar me njëri–tjetrin, gjatë harkut kohor shtator 2018 – maj 2019.

“Si burim informacioni citojnë: “kemi në dispozicion dosjen hetimore me përgjimet e kryera”, etj. Dosja hetimore, gjendet në zyrën e prokurorit dhe një kopje e saj në zyrën e gjyqtarit që ka caktuar masat e sigurimit personal dhe në asnjë rast në dispozicion të asnjë personi që ligji nuk e obligon”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

Nisur nga fakti se publikimi i bisedave të përgjuara që gjenden në pjesën arsyetuese të këtij vendimi, cenojnë sekretin e hetimit paraprak lidhur me procedimin penal 173 i cili nuk ka përfunduar akoma, Prokuroria çmon se duhet ndaluar publikimi i tyre nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.

Në këto kushte, bazuar në kërkesat e neneve 103 dhe 104 të K. Pr. Penale prokurori Martinaj urdhëron:

  1. Ndalimin e publikimi të akteve të procedimit penal Nr.173, të vitit 2018, qofshin ato dhe pjesë nga arsyetimi i vendimit penal Nr.81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj  forme tjetër informacioni masiv.

2. Ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhri koordinatori për mediet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

  1. Subjektet e procedimit penal, avokatët mbrojtës, etj, të cilët për shkak të cilësisë së tyre njihen me aktet e procedimit penal të dërguara në gjykatë dhe me vendim penal Nr. 81, datë 06.05.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ndalohen t’i bëjnë publike ato.

4. Shkelja e këtij urdhri, personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a/3 të Kodit Penal.

/m.z/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.