Basha: Taksat e larta mbyllën në Korçë një të tretën e bizneseve të vogla

TIRANË, 8 maj/ATSH-A.Fortuzi/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se taksat e larta të qeverisë kanë sjellë dhe mbyllje të bizneseve të vogla në Korçë.

Deklarata e Bashës u bë sot, gjatë një takimi me qytetarë të Korçës.

“Vetë kam qenë bashkë me ju në rrugët e qytetit të Korçës, në lagjet e ndryshme dhe në të gjitha zonat e qarkut, dhe kam parë mjerimin e thellë në të cilin është zhytur Korça e punës”, – tha Basha.

“Jo për fajin tuaj, as për faj të natyrës, por për shkak se qeveria e Ramës, me taksat e larta ka mbyllur në Korçë një të tretën e bizneseve të vogla. Kanë ulur qepenat edhe nga sjelljet terroriste të taksidarëve të qeverisë që ua bënë të pamundur vazhdimin”, theksoi Basha.

“Të vetmit që bëjnë hajër janë oligarkët që, nga mëngjesi, deri në darkë rrinë me Ramën duke bërë plane si të grabisin buxhetin dhe pasuritë e shqiptarëve. 10 njerëz, 10 hiena grabitqare, 10 të ashtuquajtur biznesmenë, prandaj i ka shkatërruar gjithë të tjerët”, – tha Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.