Ahmetaj: Ekonomia e financuar nga kapitali i sipërmarrjes

Harmonizimi i politikës monetare me ato financiare në funksion të rritjes ekonomike 

TIRANË, 8 maj /ATSH/ – Ulja e kredisë me problem me rreth 25% dhe bashkëpunimi i Bankës së Shqipërisë me qeverinë në harmonizimin e politikës monetare me atë financiare, janë reflektuar në rritjen e ekonomisë shqiptare në 4,1%.

Kështu u shpreh kreu i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në fjalën e mbajtur sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku veçoi disa drejtime të punës së suksesshme të BSH-së.

“Kredia për ekonominë për here të pare tregoi shenja të rritjes pozitive, në 7 milionë dollarë dy vite më parë dhe rritja ekonomike u rrit në 3%, ndërsa sot kreditimi është në shifra modeste dhe rritja ekonomike shënoi 4,1%. Kjo do të të thotë që ekonomia është financuar nga kapitali i sipërmarrjes”, – tha Ahmetaj.

Sipas tij, kreditimi mbështeti rritjen e konsumit në vend me 6%, por sugjeroi ai, “bankat duhet ta kthejnë në strategji kreditimin e biznesit në kushtet e likuiditetit të bollshëm dhe të mirëkapitalizmit që janë”.

“Në fund të 2018, qeveria bëri blerje mbrapsht, tërhoqi bono me dy qëllime, ulja e kostos së borxhit dhe dhënia e mundësisë të sistemit bankar të funksionojë ndaj sistemit privat. Kreditë e këqija kanë zbritur, por ka shumë punë për të bërë. Sistemi bankar po kalon një proces integrimi. Bankat me kapital shqiptar po shtohen dhe janë më të prirura për të investuar në ekonominë e vendit, është momenti i duhur për ti shtyrë më tej. Të gjitha të dhënat ekonomike kanë qenë pozitive”, – theksoi Ahmetaj.

Duke u ndalur në protestën e opozitës me bllokim të akseve kombëtare në vend, Ahmetaj tha se, tashmë ky është një skenar i njohur i opozitës, pasi sa herë Shqipëria ndodhet përpara momenteve të rëndësishme, si tani ai i hapjes së negociatave, opozita del në rrugë.

“PD e LSI kanë dalë në rrugë, për të krijuar artificialisht një krizë dhe për të penguar atë që i takon qytetarëve shqiptarë prej vitesh. Do mbajnë përgjegjësi para shqiptarëve për këtë që bëjnë sot. Pas 30 vitesh demokraci, bllokimi i rrugëve është instrument i opozitës në rrugë, qëllimi është i qartë”, – deklaroi Ahmetaj.

“Nëse opozita ka dalë në rrugë se i janë vjedhur votat, le të flasë me fakte”, – tha ai.

“A e keni parë statistikën e votës në 2017? Nuk ka devijim nga tradita, PS merr votat e veta në zona të veta. Argumenti statistikor është shumë i rëndësishëm, ajo tregon se PS nuk ka devijuar. Në finale do shkojmë te vota, nuk shkojmë dot në revolucion, do përballemi në qershor, e në 2021”, – theksoi Ahmetaj. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.