Rimbursimi i TVSH-së, Duro: Fondi është 32% më i lartë se vitin e kaluar

TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Enton Duro u shpreh sot se, krahasuar me vitin 2018, fondi për rimbursimin e TVSH-së është 32% më i lartë.

Duro tha se, “gjatë muajit prill kemi rimbursuar 90% të fondit. Gjatë muajit maj parashikohet se do të rimbursohet 100% e fondit. Nga sot, deri në fund, do të rimbursojmë 16 miliardë lekë”.

“Një nga kriteret që ne kemi marrë në analizën tonë janë grupet e fasonit të eksportuesve dhe grumbulluesve që preken nga kursi i këmbimit, por që kanë një efekt të madh në ekonomi dhe në punësim. Ne jemi në sinkron me Ministrinë e Financave dhe gjykohet në fund të tremujorit të dytë situata të rregullohet. Ka një historik që duhet analizuar dhe parë, por situata po përmirësohet, duke u ngushtuar edhe hendeku”, theksoi Duro.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve bëri gjithashtu apel për të gjithë tatimpaguesit që të përditësojnë të dhënat e tyre të kontaktit si email apo numër telefoni me qëllim vendosjen e komunikimit midis palëve. Shpesh Administrata Tatimore e ka të vështirë që lidhet me tatimpaguesit, pasi vetëm 50% e tyre kanë të dhëna të sakta kontakti. /e.xh/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.