Rikonstruksioni i kopshteve dhe çerdheve, standarde të reja për vogëlushët në Tiranë

TIRANË, 7 maj /ATSH-A.ALLA/ – Infrastruktura në kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit mbetet prioritet i bashkisë së Tiranës.

Me anë të nismës “Adopto një çerdhe’’ janë rikonstruktuar 26 çerdhe me donatorë dhe dy çerdhe nga buxheti i bashkisë ku gjithashtu janë rikonstruktuar 29 kopshte. Sot këto çerdhe dhe kopshte të rikonstruktuara janë rezidenca që ofrojnë siguri dhe përfshirje në aktivitetin ditor të fëmijëve. Shifrat u bënë të ditura gjatë një interviste në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare nga drejtoresha e Qendrës Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve Zhaneta Beqiri.

Ajo theksoi se aktualisht “ne po rikonstruktojmë tre kopshte në bashkinë e Tiranës, kopshti në Kodër Kamëz në të cilin do bëhet rikonstruksioni i plotë nga ndërtesë me një kat do bëhet me dy kate, ku do ketë gjithë elementët e shërbimit për shtatorin e 2019”.

“Jemi në momentin e rikonstruksionit të kopshtit në njësinë 1 dhe në kopshtin 34 në Kombinat dhe ky është një lajm i mirë për atë zonë pasi pjesa më e madhe e kësaj godine ishte e zaptuar nga banorë dhe vetëm një dhomë shërbente si kopsht. Pas sistemimit të banorëve kopshti ka nisur rikonstruksionin e plotë e cila do jetë një godinë e integruar ku kati i parë do jetë çerdhe dhe kati i dytë kopsht’’, tha ajo.

“Që në 2015 ne kemi nisur nga çerdhet për rritjen e numrit të edukatoreve. Aktualisht në çerdhet e Tiranës për katër fëmijë të vegjël është një edukatore dhe për 6 deri në 7 fëmijë pak më të rritur është dhe një edukatore tjetër. Në kopshtet e Tiranës për sa i takon raportit edukator–fëmijë, aktualisht në kopshtet e Tiranës janë 4300 fëmijë në ditë dhe numri i edukatoreve është 310. Gjithashtu, është marrë një shtesë prej 190 punonjësish për kopshtet e Tiranës. Grupi me 25 fëmijë do ketë dy edukatore dhe një punonjëse mbështetëse dhe në grupet me mbi 25 fëmijë do ketë edukatore shtesë’’, u shpreh Beqiri.

“Fëmijët me aftësi të veçanta sipas shkallës së nevojës që ata kanë do pajisen me punonjës shtesë. Sipas ligjit të arsimit, mësuesi mbështetës merret nga portali “Mësues për Shqipërinë’’ duke plotësuar kushtet me trajnime shtesë për këtë kategori fëmijësh’’, tha ajo.

“Sektori psiko-social është shumë i nevojshëm për fëmijët dhe kjo realizohet nga psikologet tona të cilat zhvillojnë një program edukativ në çerdhet e Tiranës. Ky sektor bën evidentimin e rasteve të fëmijëve me aftësi të veçanta të cilët jo vetëm i evidentojnë por dhe i adresojnë në grupe ndërdisiplinare për t’iu ofruar ndihmën e nevojshme’’, përfundoi drejtoresha e Qendrës Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Zhaneta Beqiri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.