Refuzimi i shkarkimit të rektorit, Spiropali: Presidenti mbrojti paligjshmërinë

TIRANË, 7 maj/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh sot se “Presidenti i Republikës ka mbrojtur paligjshmërinë me vendimin për refuzimin e shkarkimit të rektorit Mynyr Koni”.

E ftuar në një studio televizive, Spiropali u shpreh se padyshim që Presidenti është në të drejtën e tij të interpretimit, ashtu sikundër edhe ne jemi në të drejtën tonë.

“Ligji i lejon Ministres së Arsimit që në kushtet e paligjshmërisë të marrë masën e pezullimit. Ministria e Arsimit dhe dy komisione auditimi kanë verifikuar shkeljet e rektorit Koni”, tha Spiropali.

Ajo tha se rektori është pezulluar nga detyra për shkak të shkeljeve të evidentuara nga dy komisionet e auditimit dhe për këtë çështja është në prokurori, për bllokimin e funksionimit normal të universitetit.

“Janë evidentuar shkeljet dhe Ministrja e Arsimit e ka për detyrë të pezullojë Rektorin”, tha ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.