Peleshi: Siguria ushqimore, prioritet edhe si pjesë e procesit të integrimit në BE 

Siguria ushqimore, prioritet edhe për integrimin e vendit në BE 

TIRANË, 7 maj /ATSH/- Kreu i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Niko Peleshi, u shpreh sot se, për sigurinë ushqimore qeveria nuk është fokusuar vetëm në forcimin e masave në Kodin Penal, por puna ka filluar prej kohësh, që me rikthimin e integritetit të Autoritet Kombëtar të Ushqimit.

Në një intervistë televizive, Peleshi tha se, “ndryshimet në Kodin Penal adresuar sigurisë ushqimore, vijnë pas një pune të madhe dhe hulumtim i modeleve edhe në vendet e rajonit, edhe më gjerë për të sjellë ndryshime konform standardeve më të mira që i  përshtaten realitetit tonë”.

Ai shpjegoi se, vitet e fundit numri i gjobave për rritjen e sigurisë ushqimore është dyfishuar dhe arkëtimi gjithashtu, fakt që tregon se institucioni i AKU-së ka filluar të lëvizë, ndryshe nga e kaluara.

“Qeveria ka në prioritet sigurinë ushqimore duke ndjekur çdo hallkë të zbatimit të ligjit që nga penalitetet e deri në heqjen e licencës dhe masat e ndërmarra së fundi synojnë edhe përmbushjen e plotësimit të standardeve për sigurinë ushqimore, që kërkon integrimi i vendit në BE”, – theksoi Peleshi.

Peleshi, garantoi në lidhje me sigurinë ushqimore në vend, se deri më sot nuk ka asnjë reklamim të eksporteve bujqësore dhe agroushqimore shqiptare, nga asnjë vend i BE-së, fakt që siç tha ai, tregon se prodhimet shqiptare janë të sigurta.

Ai përmendi rritjen e numrit të analizave të certifikuara nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, për prodhimet ushqimore nga 7 që ishin më parë në 47 analiza sot ,çka tregon për hapat përpara që janë bërë në drejtim të rritjes së sigurisë ushqimore në vend. Ndërsa tha se, ka tregues pozitiv për nisjen e eksportit të prodhimeve shtazore. Auditues nga Europa kanë parë që standardet e fabrikave të peshkut në vendin tonë, janë me të njëjtat standarde si në vendet e BE-së.

Në lidhje me angazhimet politike në prag të zgjedhjeve vendore, Peleshi tha se, në Pogradec, ne synojmë të rikthejmë modelin e transformimit për një zhvillim bashkëkohor, që tashmë e ka konfirmuar më së miri Korça, ku kryetari aktual i bashkisë ka fituar me rezultat të thellë. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.