Nis punën komisioni i Reformës Zgjedhore, Gjiknuri: Brenda majit adresojmë rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR-it

TIRANË, 7 maj/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri propozoi sot që brenda muajit maj ky komision të adresojë rekomandimet më imediate të OSBE/ODIHR-it, për të vazhduar më pas me çështjet e tjera.

Në mbledhjen e parë të këtij komisioni, kryetari Gjiknuri, përfaqësues i Partisë Socialiste, u shpreh se “pavarësisht retorikës politike të çastit, ne mirëpresim në këtë komision edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike”.

Për sa i takon kalendarit të punës në komision, Gjiknuri propozoi që të adresohen brenda majit draftet e përgatitura nga grupi i përbashkët i ekspertëve (PS-PD), gjatë periudhës 2017-2018, që adresojnë rekomandimet më imediate të OSBE/ODIHR-it lidhur me reformën zgjedhore.

“Në periudhën e mëvonshme kam propozuar shtatorin për të adresuar çështjet që lidhen me teknologjinë dhe votën e emigrantëve. Financimi i partive politike mund të adresohet brenda fundit të tetorit dhe çështjet e sistemit zgjedhor në nëntor të këtij viti”, tha Gjiknuri.

Sipas këtyre afateve, ai tha se “kemi mundësi të adresojmë pjesën teknike më shpejt dhe për pjesën që është më e kontestueshme nga pikëpamja politike dhe për të cilën nuk ka rekomandime të qarta të OSBE/ODIHR-it, si çështja e votës së emigrantëve, ne mund të marrim më shumë kohë që të gjejmë zgjidhjet e duhura dhe konsensuale”.

“Pavarësisht nga idetë e ndryshme që kemi, mendoj se do të gjejmë gjuhën e përbashkët nisur edhe nga eksperiencat e kaluara kur kemi ditur të bisedojmë, të gjejmë marrëveshjet e duhura dhe të kalojmë reforma zgjedhore konsensuale”, tha Gjiknuri.

Zgjedhjet në Shqipëri, sipas tij, “për vit kanë pësuar përmirësime, edhe pse kemi akoma shumë për të bërë”.

Gjiknuri shprehu bindjen se “me vullnet të përbashkët dhe në klimën e mirë të bashkëpunimit me të gjithë anëtarët e reformës zgjedhore kemi mundësinë të kemi produktin më të mirë të reformës zgjedhore”.

Ai ftoi të gjitha organizatat e interesuara të shoqërisë civile të bëhen pjesë e procesit, ndërsa vlerësoi po ashtu gatishmërinë e OSBE/ODIHR-it për të ofruar asistencë dhe ekspertizë lidhur me çështje të sistemit zgjedhor. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.