Ngjarja në Letoni, Ministria e Mbrojtjes publikon të dhënat për 3 efektivët e FA-së

TIRANË, 7 maj /ATSH-Arbi Fortuzi/ – Një efektive e Forcave të Armatosura, humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur nga shpërthimi i disa municioneve, gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në misionin e NATO-s në Letoni.

Nga shpërthimi ka humbur jetën nëntetare Zarife Hasanaj, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur kanë mbetur komandanti i kontingjentit, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj. Kontingjenti shqiptar që shërben në grupbatalionin e NATO-s në Letoni, ka detyrë asgjësimin e municioneve dhe lëndëve eksplozive.

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat biografike për tre efektivët e FA-së.

Nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj, e datëlindjes 08/07/1987, ka lindur në qytetin e Bajram Currit, Tropojë, dhe ishte me vendbanim në Babrru, Tiranë. Ajo ishte fëmija i katërt i familjes Hasanaj dhe ka një vëlla dhe dy motra. Jetonte me prindërit dhe vëllain e martuar.

Ajo kishte studiuar në shkollën e mesme të përgjithshme “Gramoz Palushi” Babrru, Tiranë në vitin 2006. Ka kryer Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit “Bachelor”, në “Inxhinieri Agrare”, profili “Hortikulturë” në Universitetin Bujqësor të Tiranës 2012-2017.

Sa i takon kualifikimeve, Zarife Hasanaj, ka kryer kursin EOD Niveli I, “Asgjësimi i Municioneve me Eksplozivë”, si edhe ka marrë pjesë në trajnimin “Ndihma e parë në Incidentet EOD”.

Hasanaj është mobilizuar në FA më datë 04/04/2008 si ushtare profesioniste e parë, dhe në datë 01/10/2013, gradohet nënoficer me gradën nëntetar. Gjatë karrierës në FA është dalluar në realizimin e detyrave dhe për disiplinë të lartë. Nëntetare Zarife Hasanaj ka shërbyer si operatore EOD në RU 4040. Në 20 dhjetor 2018 është dërguar me mision në operacionin ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni, në përbërje të Grup-Batalionit Kanadez, me afat qëndrimi 6-mujor, me detyrë Operator EOD.

Të dhëna për major Klodian Nikolla TANUSHI

Major Klodian Nikolla Tanushi është lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i parë i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake “Skëndërbej”. Ka kryer kursin funksional EOD Niveli I, “Për asgjësimin e municioneve me eksploziv”. Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”.

Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD. Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-Batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontingjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me medaljen e “Karrierës” nga komandanti i Forces, medaljen e “Shërbimit” nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, medalje shërbimi në mision jashtë vendi si dhe medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga ministri i Mbrojtjes.

Rreshter Julian Kapaj, i datëlindjes 05/08/1978, ka lindur në Qytetin e Tiranës me banim, Tiranë. Është fëmija i parë i familjes Kapaj, i martuar, ka dy fëmijë dhe ka një motër. Jeton me prindërit. Ai ka përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme “Qemal Stafa”, Tiranë në vitin 1997. Ka kryer kursin funksional për specialitetin AEM (Kursi Fillestar i Asgjësimit të Municioneve). Ka kryer kursin EOD Niveli i I-rë “Asgjësimi i Municioneve me Eksplozivë”.

Është mobilizuar në FA më datë 16.10.2001 si ushtar si nënoficer me gradën nëntetar. Gjatë karrierës në FA është dalluar në realizimin e detyrave dhe për disiplinë të lartë. Rreshter Julian Kapaj shërben si operator EOD, në RU 4040. Në 20 dhjetor 2018 është dërguar me mision në operacionin ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni, në përbërje të Grup-Batalionit Kanadez, me afat qëndrim 6-mujor, me detyrë Operator EOD.

Rreshter Julian Kapaj ka fituar dhe dy medalje: medalje “Shërbimi” më 05.12.2007; medalje për “Shërbime Ndërkombëtare” më 24.06.2009.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.