Ndryshimet në Kodin Penal, ashpërsohen dënimet për goditjen ndaj bluzave të bardha

TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Qeveria po punon për një paketë me disa ndryshime në Kodin Penal, të cilat ashpërsojnë dënimet për një sërë veprash duke hequr alternativën e dënimit me gjobë.

Kështu, sipas draftit, personat që godasin mjekët ose punonjësit në detyrë shtetërore do të dënohen automatikisht me 1 deri në 5 vite burg.

Në kodin aktual, goditja e punonjësve të shëndetësisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Por me ndryshimet e reja, çdo goditje ndaj bluzave të bardha do të ndëshkohet automatikisht me burgim, i cili në varësi të rrethanave do të variojë nga 1 deri në 5 vjet. Paralelisht, ndryshimet në Kodin Penal heqin konceptin e mjekimit të pakujdesshëm, duke e zëvendësuar atë me neglizhencën në trajtimin mjekësor.

Sipas draftit, kur konstatohet neglizhencë në trajtimin mjekësor, që ka rrezikuar jetën e pacientit apo ka lënë pasoja në shëndetin e tij, mjeku përgjegjës do të dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Ndërsa kur neglizhenca ka shkaktuar humbjen e jetës së pacientit atëherë punonjësi i shëndetësisë dënohet automatikisht me burgim deri në katër vjet, pa alternativë gjobë siç është sot. Ka raste kur kjo e fundit mund të shkojë deri në shtatë vjet.

“Neglizhenca në trajtimin mjekësor të të sëmurëve, nga ana e profesionistit shëndetësor ose personelit ndihmës, kur ka shkaktuar vdekjen e personit, dënohet me burgim deri në katër vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar infektimin e të sëmurëve me infeksionin HIV/AIDS, dënohet me burgim nga tre, deri në shtatë vjet”, përcaktohet në draft.

Për punonjësit e tjerë të shtetit goditja në detyrë do të dënohet me burg nga 1 deri në 3 vjet, ndërsa kur kjo vepër kryhet ndaj funksionarëve të zgjedhur atëherë dënimi me burg varion nga 1 deri në 5 vjet.

I njëjti ndryshim ndodh edhe për veprën e kanosjes për shkak të detyrës. Aktualisht dënimi për këtë vepër është gjobë deri në 2 vjet burg, por në draftin e ri hiqet gjobat dhe kanosja për shkak të detyrës dënohet automatikisht me burg nga 1, deri në tre vjet. /z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.