Greminger: Reformat të vazhdojnë me kontributin e deputetëve të rinj në parlament

TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger deklaroi sot që reforma zgjedhore dhe reformat e tjera duhet të vazhdojnë me kontributin e deputetëve të rinj në parlament.

Deklaratën Greminger e bëri gjatë një takimi me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Greminger përshëndeti rifillimin e punës së komisionit të reformës zgjedhore, me pjesëmarrjen edhe të deputetëve të rinj të opozitës, të cilët po plotësojnë vendet në Kuvend.

Sekretari i Përgjithshëm Greminger falenderoi Kryetarin e Kuvendit, Ruçi për bashkëpunimin e ngushtë dhe produktiv midis Shqipërisë dhe OSBE dhe nënvizoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë të thellohet gjatë presidencës shqiptare të OSBE në 2020.

Aktualisht, po bashkëpunohet për përcaktimin e prioriteteve të Presidencës shqiptare të OSBE për vitin 2020.

Ruçi e falenderoi Sekretarin Greminger për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë, për marrjen e kryesisë së OSBE-së në 2020 dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me Sekretariatin dhe institucionet e OSBE-së, si ODHIR, Komisionerin e Lartë për Minoritetet, Përfaqësuesin mbi Lirinë e Medias dhe në mënyrë të veçantë për gatishmërinë e ODIHR-it për të monitoruar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Shqipëria është e nderuar që do marrë këtë detyrë të rëndësishme, do të vijojë të jetë e angazhuar në përmbushjen e objektivave të përbashkëta, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në takim ishin të pranishëm kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deputeti Fate Velaj dhe ambasadori i Shqipërisë në Misionin e OSBE-së, Igli Hasani.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.