TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Një grup ekspertësh nga Ministria Federale e Austrisë për Qëndrueshmërinë dhe Turizmin, Qendra Austriake e Kërkimit për Pyjet dhe nga dy zonat e mbrojtura në Austri “Kalkalpen National Park”, “Wilderness Area Dűrrenstein” të cilat janë pjesë e Trashëgimisë Botërore po zhvillojnë një vizitë studimore në Shqipëri.
Grupi i ekspertëve zhvilloi vizitën studimore në dy zonat e shpallura si Trashëgimi Botërore UNESCO “Pyjet e Ahut” në Rrajcë, Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” e më pas në “Lumin e Gashit”, për të njohur pjesët përbërëse dhe organet drejtuese të tyre.
Vizita do të mundësojë shkëmbimin e eksperiencës ndërmjet ekspertëve të menaxhimit të zonës së mbrojtur dhe përfaqësuesve të ministrive përgjegjëse dhe organeve koordinuese.
Gjithashtu ata vizituan Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”, i cili vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të pëlqyera për tu vizituar nga turistët e huaj gjermanë, të cilët duan të prekin më nga afër dhe të njihen me vlerat natyrore të zonave të mbrojtura. /a.a/ /a.g/
