FOTO/ Doliumi 1800-vjeçar i shtohet fondit të objekteve në Muzeun Arkeologjik Durrës

TIRANË, 7 maj /ATSH/ – Muzeu Arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë i cili mirëpret vizitorë të shumtë gjatë gjithë vitit.

Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte, që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit, deri në shekullin e 4-t pas erës sonë.

Këtij fondi të pasur iu shtua sot një dolium 1800-vjeçar,  i cili tashmë pas punës së restauratorëve të këtyre veprave ai tashmë është i aksesueshëm për vizitorët dhe është një tjetër thesar me vlerë që i shtohet këtij muzeu.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti e cili vizitoi këtë objekt me vlerë, shprehet se “ujërat e fshehën për shekuj. Për 40 vjet, gjetje të tilla të përmasave kaq të mëdha nuk janë zbuluar e restauruar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. U deshën rreth 3 muaj për shkripëzimin e tij dhe 8 muaj për t’u restauruar. Pas një pune të gjatë, ky Dolium, i gjetur në një anije cisternë të shek. II-III pas Krishtit, në Gjirin e Durrësit, ka marrë sërish formë! Shembull që asgjë nuk zhduket përgjithmonë. Me arkeologun Adrian Anastasi, i cili ka gjetur copëzat në fund të detit (në një thellësi prej 30m) dhe restauratorët Ibrahim e Amarildo Reçi (babë e bir), të cilët i dhanë formën e plotë objektit 1800 vjeçar”.

Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.