FOKUS – FB fshin adresa me qendër në Rusi

NJU JORK, 7 maj /ATSH-DPA/ – Kompania Facebook fshiu nga platforma e tij disa faqe, grupe dhe llogari me bazë në Rusi si pjesë e e një spastrimi të vazhdueshëm kundrejt llogarive që përdoren për të manipuluar përdoruesit e medieve sociale.

Kompania ka bërë përpjekje për të rritur reagimin ndaj “veprimeve të paautorizuara” në disa vende përfshirë Filipinet, Rusinë dhe Iranin, pas akuzave se platforma ishte përdorur për të ndikuar mbi  zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe referendumin e Britanisë për Brexit-in.

‘’Dy operacione të ndryshme me veprim në Rusi, po përdornin llogari të rreme për të postuar në Facebook dhe Instagram’’, theksoi kompania në një postim.

Rrjeti social fshiu 97 llogari, grupe dhe faqe të përfshira në një rrjet me bazë në Rusi që fokusoheshin tek çështja e Ukrainës.

Ato përdoreshin për të shpërndarë informacione për konfliktin ushtarak në Ukrainën Lindore, politikën ruse, lajmet politike në Europë, politikën në Ukrainë dhe luftën civile në Siri.

Kompania gjithashtu fshiu 21 faqe dhe llogari nga Facebook dhe Instagram, pjesë e një rrjeti të dytë që fokusohej në Austri, vendet balltike, Gjermani, Spanjë, Ukrainë dhe Britaninë e Madhe.

Postimet nga ky rrjet përfshinin përmbajtje për emigrimin, çështjet fetare dhe NATO-n.

‘’Ata që ndodheshin pas kësaj fushate përdornin llogari të rreme për t’u bashkuar me grupe për të ndikuar përdoruesit e tjerë dhe për të shtuar akuzat për një figurë publike duke punuar bashkë me shërbimet e inteligjencës’’, theksoi Facebook./  /os/ /em/ a.jor.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.