Prezantohet platforma “Ambasada Ime”/ Cakaj: Urë komunikimi e drejtpërdrejt me qytetarët

TIRANË, 6 maj/ATSH-A.Fortuzi/- Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, duke prezantuar platformën “Ambasada Ime” ka theksuar se tashmë shqiptarët në çdo cep të botës kanë në duar ambasadën e tyre, pasi ky aplikacion deburokratizon shërbimet diplomatike, duke i demokratizuar ato.

Ministri Gent Cakaj u shpreh se këtë muaj presim të marrim rekomandimin pozitiv dhe të pakushtëzuar për në destinacionin e pakthyeshëm, BE-në.

“Ky muaj përkon dhe me një moment mjaft të rëndësishëm, pasi presim dhe rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave, pa kushte”, tha Cakaj.

“Të dhënat e publikuara sot nga delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë janë indikatorë të rëndësishëm për situatën e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare. Sipas të dhënave, mbi 90% e shoqërisë shqiptare mbështet ambicien për integrimin e vendit në BE. Kjo mbështetje mbart përqindjen më të lartë se përqindjet që kanë marrë çdo parti politike më vete”, tha Cakaj.

“Të dhënat e delegacionit tregojnë dhe një fakt tjetër, se shqiptarët e mendojnë Europën si një proces, ashtu sikurse është procesi i integrimit në BE. Pra BE nuk mendohet si një destinacion final, por një proces i ngadaltë reformash transformuese”, vijoi Cakaj.

Duke prezantuar zyrtarisht platformën “Ambasada Ime”, Cakaj tha se ajo është e rëndësishëm për digjitalizimin dhe llogaridhënien me publikun e gjerë, për objektivat madhorë të jetës së përditshme të qytetarëve shqiptarë në tërësi”.

Sipas Cakajt, tri janë arsyet kryesore se përse ky aplikacion është i rëndësishëm. “Së pari, ky aplikacion pasqyron informacion të plotë mbi strukturën e mbulimit diplomatik e konsullor të vendit tonë anekënd botës. Ai jep informacione të nevojshëm për çdo shqiptar, pavarësisht se në cilin cep të globit ndodhet. Pra, ‘Ambasada Ime’ nuk është vetëm një sistem pasiv, por është një sistem aktiv e dinamik që ndërmjetëson komunikimin e diplomatik të qendrave diplomatike të Shqipërisë me shtetasit e saj”, tha ai.

“Ambasada Ime” ofron qasje në procedurat e shërbimeve e konsullore online. Nga aplikimi për asistencë për shtetasit shqiptarë të humbur, tek aplikimi për fitim, rifitim apo lënie shtetësie, për pasaporta, ID, legalizimi apo shërbime të tjera. Pra ajo nuk është vetëm pikë orientuese, por ajo është pranë qytetarëve duke ndërmjetësuar veprimin e tyre me konsullatat apo ambasadat”.

“Aplikacioni shpalos online veprimtaritë diplomatike të ambasadave tona dhe konsullatave nëpër botë, pra iu jep mundësi të gjithë qytetarëve nga e gjithë bota të japin ide, të japin kritikat e tyre, etj. Pra ky është një proces deburokratizimi të shërbimeve diplomatike në botë duke i demokratizuar. Çdo shqiptar pra tashmë ka në dorë ambasadën e tij në çdo vend ku ndodhet”, deklaroi Cakaj.

Në kuadër të Javës së Europës, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka prezantuar sot aplikacionin ‘AMBASADA IME’. Kjo është një platformë dhe një aplikacion, një urë më shumë në komunikimin e drejtpërdrejt mes Ministrisë së Europës e Punëve të Jashtme dhe qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.