Oettinger: Gjermania mbështet pa rezerva hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE

TIRANË, 6 maj /ATSH-Gjergji Mima/ “Gjermania i jep përkrahje të plotë Shqipërisë dhe mbështet pa rezerva hapjen e negociatave me BE-në”, ka deklaruar Komisioneri europian, Günther Oettinger.

Lajmi konfirmohet nga Besnik Kelmendi, i cili prej më shumë se 25 vitesh jeton në Gjermani dhe sot është një nga zërat më të dëgjuar në forcën politike më të madhe në Gjermani, CDU. Si zyrtar në Ministrinë e Brendshme të landit të Rajnës Veriore dhe Vestfalisë (NRW), Kelmendi është mjaft aktiv në përfshirjen dhe integrimin e bashkatdhetarëve.

Së fundmi, Kelmendi është bërë pjesë e takimeve të fushatës parazgjedhore në Gjermani për zgjedhjet për Parlamentin Europian që do të mbahen gjatë këtij muaj, duke filluar nga data 23 deri më 26 maj 2019.

Në një prononcim për ATSH, Kelmendi tha se Komisioneri europian, Günther Oettinger konfirmoi mbështetjen e plotë të Gjermanisë lidhur me hapjen e negociatave të Shqipërisë.

Po sipas tij, Oettinger tha se, Gjermania përkrah edhe Kosovën për liberalizimin e vizave.

“Në vazhdën e kësaj fushate, në qytetin e Essen-it u zhvillua një aktivitet parazgjedhor i Unionit Kristiandemokrat të Kancelares Angela Merkel në mbështetje të kandidaturës  së Dennis Rathke për deputet të Parlamentit Europian. Komisioneri europian për Planifikimin Financiar dhe Buxhet, Günther Oettinger (CDU) foli për sfidat e ardhshme të Bashkimit Europian dhe për rëndësinë e një CDU/CSU-je të fortë pas 26 majit. Ai e vuri theksin tek çështjet e sigurisë dhe domosdoshmëria e krijimit të një ushtrie europiane, sepse amerikanët nuk mund të mbeten përgjithmonë përgjegjës për sigurinë tonë në Europë”, shprehet Kelmendi për ATSH duke bërë të ditur detaje nga ky takim.

Kelmendi tha për ATSH se “si shqiptarë unë i shtrova z. Oettinger dy pyetje, për hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë. Komisioneri europian Günther Oettinger tha se, Gjermania i jep përkrahje të plote Shqipërisë përsa i përket hapjes së negociatave me BE-në. Po ashtu Gjermania përkrah edhe Kosovën në çështjen e heqjes së vizave dhe udhëtimin e lirë të qytetarëve të Kosovës në shtetet e Schengenit”.

“Oettinger tha se shqiptarët duhet të jenë krenarë me miken e tyre të madhe, Gjermaninë, e cila ka qenë dhe është përherë në krahun e tyre“, deklaron Kelmendi për. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.