Në 2018 u eksportuan 300 mijë tonë produkte shqiptare, asnjë kamion i reklamuar

TIRANË, 6 maj/ATSH-Maela Marini/ “Vitin e kaluar janë eksportuar rreth 300 mijë tonë produkte shqiptare dhe nuk kemi marrë mbrapsht asnjë kamion nga vendet e BE-së”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në një tryezë për sigurinë ushqimore.

Duke e konsideruar sigurinë ushqimore një temë shumë të ndjeshme dhe shumë komplekse në të njëjtën kohë, Rama tha se “sot në Shqipëri ka një numër të madh njerëzish dhe sipërmarrësish që i janë dedikuar prej vitesh me pasion, këmbëngulje dhe sakrifica, këtij sektori për të prodhuar dhe për të importuar e eksportuar ushqim”.

Rama tha se “është e dhimbshme, që këta njerëz e sipërmarrje të futen të gjitha në një thes dhe të jetohet me idenë se në Shqipëri hahet helm”.

“Kjo është e pavërtetë, sikundër është e dhimbshme që të ndëshkohen për shkak të këtij perceptimi që ushqehet edhe nga mediat hera-herës, në mënyrë krejt të papërgjegjshme, fermerët shqiptarë e sipërmarrësit, që i janë kushtuar eksportit”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nëse ushqimet tona me origjinë bujqësore do të ishin produkt i hormoneve, do të ishte e pamundur që Shqipëria të kishte këtë trend shumë pozitiv të eksporteve”.

“Do të ishte absolutisht e pamundur të kalohej filtri shumë rigoroz i BE-së. Një gamë e gjerë e produkteve bujqësore që rritet dhe i shkon eksportit e ka bërë Shqipërinë një vend të dëshiruar për të cilin interesohen gjithmonë e më shumë lojtarë të fushës së tregtisë të produkteve bujqësore”, – tha Rama.

Nëse Shqipëria do të kishte pasur një organizim siç e ka në vitet e fundit, Kryeministri shprehu bindjen se “edhe sasia e eksportit do të ishte shumë më e madhe”.

Rama nënvizoi edhe një herë faktin e patundshëm që asnjë kamion nuk është reklamuar nga vendet e BE-së, ku kanë shkuar produktet bujqësore shqiptare, ndërsa u shpreh i keqardhur kur dëmtohen padrejtësisht për shkak të zhurmave që krijohen sipërmarrës që ndërkohë prodhojnë edhe për tregun europian. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.