Ndryshimet në Kodin Penal për sigurinë ushqimore, Çuçi: Sfidë që do ta çojmë deri në fund

TIRANË, 6 maj /ATSH/ – “Paketa e ndryshimeve e dispozitave në Kodin Penal, lidhet me garantimin përfundimisht të sigurisë ushqimore në vend”, – tha sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi.

Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, me grupet e interesit për ndryshimet në Kodin Penal për sigurinë ushqimore, Çuçi theksoi se siguria ushqimore është një sfidë e madhe dhe e vështirë që “do ta çojmë deri në fund, me çdo kusht e çmim”.

“Nga ligji detyrohemi të garantojmë sigurinë ushqimore. Kodi Penal që ne kemi aktualisht është i vitit 1995, dhe dispozitat që ai përmban i adresoheshin zhvillimeve të asaj kohe. Referuar shifrave dhe fakteve, ky Kod nuk ka prodhuar asgjë të re për rritjen e sigurisë ushqimore në vend”, – tha ministri Çuçi.

Ai tha se Kodi aktual nuk gjeneron ndryshime për kohën sot si dhe hapësira për sistemin e drejtësisë.

“Në këto kushte, – vijoi ministri Çuçi, – paketa e ndryshimeve në Kodin Penal që paraqesim sot dhe e kemi paraqitur edhe në Kuvendin e Shqipërisë adreson konkretisht dhe specifikisht veprat penale qe lidhen me sigurinë ushqimore në vendin tonë”.

Çuçi tha se, takimi i sotëm është në kuadrin e diskutimeve me aktorët e tregut, me qëllim që të gjithë elementët e kësaj pakete, të marrin fuqi të plotë për të gjitha rastet që prekin sigurinë ushqimore, duke e cilësuar krim penal çdo veprim që prek sigurinë ushqimore”. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.