Manastirliu: Fuqizim dhe standardizim të laboratorëve të analizave në poliklinika

TIRANË, 6 maj/ATSH/ – Poliklinika e Specialiteteve nr. 3 apo siç njihet nga të gjithë si Poliklinika Qendrore është pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë për specialitetet kryesore, duke filluar nga Kardiologjia dhe Urologjia, e deri tek Okulistika dhe ORL.

Investim i rëndësishëm është ai në laboratorë, që ka rritur cilësinë dhe gamën e analizave që kryhen në poliklinikë.

“Me këtë investim, mundësojmë fuqizimin e laboratorëve dhe standardizimin e shërbimit në këtë Poliklinikë specialitetesh, sikundër po punojmë çdo ditë për të mundësuar një standard të njëjtë në të gjithë poliklinikat”, – u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë.

Ministrja ka siguruar qytetarët se falë investimeve në poliklinikën qendrore do të shmangen në maksimum ecejaket deri në QSUT, pasi të gjitha analizat mund të kryhen në laboratorin e ri si dhe ofrohen shërbime që më parë mungonin.

“Nuk është më e nevojshme të shkosh në spital për diagnostikimin e sëmundjeve kardiake, sepse këtu kryhet me aparatura bashkëkohore prova e biçikletës, dhe defribilatorët janë modernë. Janë vendosur për herë të parë aparaturat e cistoskopisë dhe fluometrisë, për ekzaminimin e saktë të problemeve urologjike, janë kompletuar me aparatura të standardit më të lartë kabineti i okulistikës dhe ORL. Është një investim i plotë që transformon për nga pikëpamja e cilësisë së shërbimit këtë poliklinikë specialitetesh”, – tha Manastirliu.

Poliklinika e Specialiteteve nr 3 ofron shërbim të specializuar në 18 kabinete, me 46 mjekë, 46 infermierë dhe 21 laborantë. 550 mijë euro është vlera e investimit në aparatura moderne për shërbimet kryesore të specialiteteve të poliklinikës qendrore, pjesë e kredisë italiane për fuqizimin e 5 poliklinikave që kanë mundësuar fuqizimin e aparaturave në poliklinikën e specialiteteve nr. 3 në Tiranë, Poliklinika qendrore i shërben rreth 280 mijë banorëve.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.