Loja politike me procesin e integrimit është lojë me të ardhmen

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u kërkoi ambasadorëve të vendeve të BE-së, duke marrë fjalën në prezantimin e aplikacionit “Ambasada Ime”, të bëjnë ç’të munden që loja me negociatat të mos kthehet në një lojë me zjarrin, pasi shqiptarët këtë nuk e meritojnë. Rama tha se duhet shkëputur përdorja e vështirësive në çeljen e negociatave për shkaqe që nuk varen nga Shqipëria, me lojërat politike si brenda vendit tonë, ashtu edhe brenda vendeve anëtare, dhe kjo mund të bëhet duke marrë vendimin për çeljen e negociatave.

“Falënderoj ambasadorët e BE-së dhe dua t’u them se për ne nuk ka rrugë tjetër. Është e vetmja rrugë dhe pavarësisht se çfarë ndjejmë ne kur duhet të kalojmë detin më këmbë për shkak se ka një problem aty apo këtu, ajo që dimë është se kjo është e vetmja rrugë dhe ne do vazhdojmë në këtë rrugë. Ama, ju lutem, bëni ç’të mundeni, që loja me negociatat të mos kthehet në një lojë me zjarrin. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë. Vendet e huaja kanë në dorë ta nxjerrin lojën e negociatave pikërisht duke hapur negociatat, që një palë, apo një tjetër të mos e marrin peng publikun dhe të shfrytëzojnë vështirësitë për çeljen e negociatave si benzinë”, – tha ai.

Për fat të keq, tha Kryeministri, jo të gjithë dhe jo gjithmonë e kuptojmë aspektin themelor të procesit të integrimit, e vlerësojmë si proces ku nuk ka palë, ku nuk ka çfarë na ndan, ku nuk ka pse ta përfshijmë në të përditshmen e betejave tona politike apo të kundërshtive apo mosmarrëveshjeve të natyrshme. “Loja politike me procesin e integrimit është lojë me të ardhmen. Përfshirja e procesit të integrimit në hapësirën mes llogoreve të betejës politike është cenim i cilësisë së procesit, por edhe dëm që i faturohet së ardhmes”, – theksoi ai.

Në këtë nuk jemi të vetëm, tha Rama, pasi “siç luajmë ne së brendshmi, luajnë edhe ata jashtë me ne. Si përpiqen këta brenda ta vënë në shërbim të axhendës së vogël politike, partitë jashtë vendit përpiqen ta shfrytëzojnë po ashtu për axhendat e tyre politike”, – theksoi ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.