Hoteleri-Turizëm, punësimi dhe indeksi i shitjeve me rritje dyshifrore

TIRANË, 6 maj /ATSH/- Sektori i shërbimeve (hoteleri turizëm) ka përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 42,9%, bëri të ditur INSTAT.

Investimet multidimensionale që konkretizoi qeveria në disa drejtime të rëndësishme ekonomike, me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit, rritën ndjeshëm numrin e turistëve. 5.6 milionë vizitorë të huaj erdhën në vendin tonë në fund të vitit të kaluar, fluks që ndikoi pozitivisht në aktivitetin e hotelerisë, rritjen e punësimit dhe konsumit.

Trendi i rritjes së numrit të turistëve, i ka dhënë një hov cilësor zhvillimit të sektorit të turizmit, hotelerisë dhe punësimit në vendin tonë.

INSTAT bën të ditur se, për sektorin e shërbimeve, (hoteleri turizëm) krahas punësimit edhe indeksi i shitjeve shënoi rritje mbi 37%, duke regjistruar këtë sektorin me rritje më të lartë në ekonomi në këtë periudhë.

Rritja e shitjeve është shoqëruar dhe me më shumë të punësuar, ndërsa sipas INSTAT, edhe indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 3,3% më e lartë krahasuar me një vit më parë dhe shkalla e papunësisë së të rinjve në 2018 ka rënë me 3,6%, ku kontributin më të madh e dha ky sektor.

Paketa me lehtësi fiskale promovuese në turizëm

Qeveria po aplikon një shkallë e reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) 6 % për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “hotel/resort me pesë yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name” duke i dhënë një mbështetje të fortë sipërmarrjes në këtë sektor.

I gjithë rajoni e ka këtë normë nën 10% dhe me ofrimin e nivelit prej 6%, Shqipëria është bërë tashmë një nga vendet me një paketë pozitivisht agresive të turizmit.

Gjithashtu, strukturat akomoduese që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar ndërkombëtarisht “brand name”, janë të përjashtuara nga tatim fitimi për një periudhë 10 vjeçare.

Ndërsa paketa fiskale e këtij viti konfirmoi një varg lehtësish fiskale për agroturizmin, ndër të cilat është ulja me tre herë e tatim fitimit, nga 15% në 5%, heqja e taksës së infrastrukturës për investime të reja në agroturizëm dhe reduktimi i nivelit të TVSH-së nga 20% në 6% për agroturizmin, në akomodim dhe në ushqim.

Strategjia bazë për zhvillimin e turizmit

Krahas lehtësive fiskale qeveria ka rikonceptuar strategjinë e zhvillimit të turizmit mbi bazën e investimeve radikale në 4 polet lindje, perëndim, jug, veri.

Politika e turizmit në Rivierën shqiptare të kombinuara me ato për agro turizmin, janë binomi për një turizëm gjithëvjetor në Shqipëri. Ndërthurur me vlerat historike dhe resurset natyrore në zonat Berat, Gjirokastër, Përmet, Sarandë, Vlorë ku po zhvillohen edhe aktivitetet agro përpunuese.

Veriu i Shqipërisë, është rikthyer sot në një destinacion të zhvillimit agro turistik. Krijimi i bujtinave me mbështetjen e programit të qeverisë “100 fshatrat”, si dhe investimet në infrastrukturë dhe qendrat urbane të Velipojës, Shëngjinit, kanë krijuar mundësinë e  destinacioneve të zhvillimit të resorteve me kapacitete të mëdha.

Shqipëria vitet e fundit, po qëndron në fokus edhe të medieve të huaja, çka ka nxitur shtimin e turistëve. Sipas BSH-së, numri i shtetasve të huaj që hynë në vendin tonë gjatë vitit 2018 u rrit me 17,3%, në krahasim me një vit më parë.

Fluksi në rritje i turistëve ka pasur rritje progresive zinxhirë edhe rritjen e investimeve, prenotimeve dhe zgjatjen e sezonit turistik nga maji deri në tetor.

e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.