Hapja e negociatave, Rama: Procesi edhe më i rëndësishëm, na drejton në shtetbërje

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Procesi i integrimit në BE ka rëndësi themelore dhe për sa kohë zhvillohet është edhe më i rëndësishëm sesa vetë anëtarësimi, pasi falë këtij procesi një vend si yni, me një traditë aspak bujare të shtetit dhe institucioneve, ka në dispozicion një mekanizëm unikal, kompleks, atë të integrimit europian. Kryeministri Edi Rama i pranishëm në prezantimin e aplikacionit “Ambasada Ime”, në kuadër të Javës së Europës, vuri në dukje rëndësinë e madhe që ka për një vend si Shqipëria, udhërrëfyesi i Bashkimit Europian.

“Pesë prioritetet, 35 kapitujt, të gjitha proceset që e shoqërojnë janë as më shumë e, as më pak, sesa një udhërrëfyes që do të ishte e pamundur të gjendej e jo më të shpikej. Kjo është arsyeja përse ne nuk duhet të harrojmë se ky proces nuk është i rëndësishëm në të përditshmen tonë se na e kërkojnë nga Berlini, Parisi, Brukseli, por sepse na e kërkon detyra ndaj fëmijëve tanë. Nëse duam t’u lëmë fëmijëve një Shqipëri më të mirë sesa ajo që gjetëm, një shtet që funksionon mbi binarët e drejtësisë dhe të meritës e mundësive për secilin, nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveç rrugës jashtëzakonisht të vështirë, por të pashmangshme të të gjithë reformave që vijnë zinxhir, si produkt i procesit të integrimit europian”, – theksoi Kryeministri Rama.

Rama solli në vëmendje se Europa sot nuk duhet të kishte limite, duhej të ishte një vend ku të ndjenim se jemi në shtëpinë tonë, se jemi qytetarë të denjë të kujtdo vendi ku ndodheshim. “Mirëpo projekti madhështor i etërve themelues të Europës së Bashkuar mori më shumë kohë dhe do të marrë ende kohë për t’u plotësuar në tërësinë e vet përgjatë një procesi ballafaqimesh të pashmangshme me realitetet e fakteve”, – tha ai.

“Për BE-në dhe për ata që e patën kurajon ta parafytyrojnë si ndoshta projektin më madhështor politik që njerëzimi ka konceptuar, BE është paqe, prosperitet dhe barazi në diversitet ndër të tjera, ndërsa për ne, Shqipërinë dhe rajonin ku jetojmë, padiskutim BE është paqe, padyshim është mirëqënie, por qysh në krye të herës dhe sot mbetet një proces i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm shtetbërjeje, dhe pikërisht për këtë procesi i integrimit ka rëndësi themelore”, – theksoi Kryeministri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.