Hapja e negociatave, Rama: Detyrat janë bërë, presim raportin e KE-së

TIRANË, 6 maj /ATSH/ Se çfarë do ndodhë në qershor, nuk e di askush, tha Kryeministri Edi Rama duke marrë fjalën sot në prezantimin e platformës “Ambasada Ime” në kuadër të Javës së Europës. Por, theksoi si “ne me plot të drejtë bazuar në raportin e KE dhe këtë e kam për ata që e lidhin po ose jo, me atë që bën qeveria, përsëri duhet të presim ditën e përfundimit të zgjedhjeve europiane dhe do shohim se në ç’pozicion gjenden vendet anëtare në lidhje me këtë nevojë tonën”.

“Kjo është aq e vërtetë, sa Komisioni Europian vendosi ta nxjerrë raportin në 25 maj si asnjëherë tjetër, dhe kjo lidhet me zgjedhjet për Parlamentin Europian, që raporti të mos tundej për të bërë politikë me shqiptarët”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri vijoi duke thënë se situata nuk ka lidhje me të qënit shqiptar. “Shqiptarët thjesht kanë radhën dhe jo se dikush ka ndonjë gjë me shqiptarët, siç nuk kanë pasur me bullgarët, që në fushatat e ndonjë vendi trajtoheshin si populli që tentoi të vriste Papën, apo me rumunët për të cilët u tha se ishin popull që hanin lejlekët”, – tha Rama.

“Në fund të ditës, ajo që kemi në dorë është të bëjmë detyrat tona. I kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë, jo se i kërkon KE apo që t’i bëjmë qejfin ndonjë vendi, edhe kjo shumë mirë është që të gjithë të mbeten të kënaqur që të mbështesin hapjen e dyerve, por se e kërkon e ardhmja e këtij vendi dhe fëmijëve tanë. Një proces që na jep fuqi njohjeje, dijeje, shtetbërjeje që nuk na buron nga tradita se traditën nuk e kemi për të mësuar si bëhet një shtet funksional demokratik”, – theksoi Kryeministri.

Sipas tij, askush nuk e di faktikisht se çfarë do të vendoset në qershor. “Por, jam i bindur se ky është viti kur të gjitha rrethanat janë aty për të çelur negociatat, qoftë për arsye të nevojës krejt legjitime, proceduriale të një vendi për të shqyrtuar raportin e KE”, – tha Rama.

“Vjet, Shqipëria mori rekomandimin pozitiv pa kushte nga KE. KE është një makineri e një dimensioni të frikshëm për ne që e shohim nga Shqipëria e vogël, që financohet nga taksapaguesit europianë, në funksion të mbarëvajtjes së punës së Europës së Bashkuar dhe shteteve anëtare. Kush më mirë dhe ku më mirë sesa në procesin e qëmtimit të të gjitha problemeve, sfidave, rezultateve mund ta japë gjykimin për një vend sesa Komisioni Europian?” – tha ai.

“Ku gjendet tjetër një zyrë si ajo e KE në Tiranë, ku njerëzit e nisin dhe mbarojnë punën duke u marrë çdo ditë me çdo aspekt të ecurisë së punës në Shqipëri? Në cilin kryeqytet tjetër harxhohen para dhe energji për ta lexuar realitetin e fakteve të procesit të integrimit, si harxhohet nga Delegacioni këtu dhe nga ata në Bruksel?” – tha Rama.

“KE nga vlerësimi i kritereve objektive është i tëri një proces që kalon përmes filtrit skrupuloz të Komisionit, dhe kur KE thotë rekomandojmë hapjen e negociatave pa kushte, ka thënë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë në këtë fazë. Kontestimi mbi plotësimin e detyrave nuk lidhet më me kriteret objektive. Këtë e kam mësuar në rrugë të vështirë, po e kam detyrim ta ndaj me të gjithë”, – theksoi Rama.

Kryeministri shpjegoi se gjithmonë e më pak në vendimmarrjet për ne, nuk ndikon çka bëjmë ne për veten tonë, dhe gjithnjë e më shumë ndikon çka të tjerët gjykojnë lidhur me situatat e tyre”, – tha ai.

Natyrisht që Shqipëria, si çdo vend tjetër që është në prag të anëtarësimit, është larg të qënit një vend që anëtarësohet, por negociatat vlejnë për këtë, që një vend që çel negociatat, në procesin e negociimit, arrin të përmbushë të gjithë parametrat e nevojshëm të anëtarësimit. Ne e dimë si fakt që mosdhënia e po-së menjëherë qershorin e kaluar në bazë të rekomandimit lidhej me zgjedhjet europiane të këtij maji, dhe pyetja do ishte: Po ç’lidhje ka përmbushja e 5 prioriteteve me zgjedhjet për PE-në? Lidhja është politike, legjitime dhe e mirëqënë”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.